TIRANË, 11 maj 2026/Albania Express News/ “Albanian Digital Solution” do të jetë kompania e re shtetërore për teknologjinë digjitale, e cila do të shndërrohet në një forcë udhëheqëse në zhvillimin e shërbimeve dhe inovacionit teknologjik në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediet ditën e sotme së bashku me negociatoren për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik”, njëkohësisht drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, teksa prezantoi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik, reformat e ndërmarra, progresin e arritur dhe prioritetet në kuadër të modernizimit të sistemit, si dhe ecurinë e procesit të negociatave për Kapitullin 5 në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, duke u ndalur te transformimi i strukturave të teknologjisë digjitale në administratën publike, njoftoi krijimin e një kompanie të re publike, “Albanian Digital Solution”.
Rama tha se kjo kompani do të funksionojë si një entitet i veçantë nga AKSHI dhe do të ketë rol kyç në zhvillimin e shërbimeve digjitale në vend.
Sipas tij, kjo kompani do të jetë 100% shtetërore dhe do të ketë si prioritet rekrutimin e specialistëve më të mirë të tregut të teknologjisë, duke ofruar paga më konkurruese se sektori privat.
“AKSHI tashmë nuk është i vetmi. AKSHI do të funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike, Albanian Digital Solution, e cila do të jetë një kompani 100% shtetërore që do të synojë së pari, të rekrutojë më të mirët e tregut dhe t’i paguajë më mirë se çdo kompani në treg, dhe së dyti, të bëhet një forcë udhëheqëse në tregun e teknologjisë, duke qenë njëkohësisht forca që shtyn agjendën e një shteti që po transformohet dhe që falë teknologjisë synon të bëjë kapërcime të mëdha në të gjitha fushat”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit, krijimi i “Albanian Digital Solution” synon të forcojë kapacitetet shtetërore në fushën digjitale dhe të përshpejtojë transformimin e shërbimeve publike përmes teknologjisë, duke e pozicionuar Shqipërinë si një aktor më konkurrues në zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit.

