ELBASAN , 14 nëntor 2026/Albania Express News/-Policia e Elbasanit ka bërë një tjetër hap drejt zbardhjes së shpërthimit me lëndë plasëse të një automjeti, ngjarje e regjistruar më 5 nëntor 2026, në lagjen “28 Nëntori”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë lokalizuar dhe ndaluar një prej personave të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Bëhet fjalë për shtetasin B. H., 17 vjeç, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në vendosjen dhe shpërthimin e lëndës plasëse në automjetin në pronësi të shtetases A. D.
Sipas informacionit të Policisë, ndalimi i të miturit u krye pas veprimeve hetimore dhe operacionale të zhvilluara për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Hetimet nuk janë mbyllur. Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe përcaktimin e rolit dhe përgjegjësisë penale të secilit, nën drejtimin e Prokurorisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Operacioni “Porosia” vijon, ndërsa pritet që hetimet të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën e organizimit dhe personat e tjerë që mund të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje.

