ELBASAN,5 maj 2026 /Albania Express News/Një shqetësim tejet serioz për sigurinë rrugore është ngritur nga ish-ministri i Financave, Arben Malaj, përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ku ai evidenton një problem potencialisht të rrezikshëm në tunelin e Krrabës së Elbasanit, në aksin që lidh Tiranën me juglindjen dhe jugun e vendit.
Sipas Malajt, brenda tunelit, në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit , është krijuar një fryrje në një prej rripave të rrugës, e cila paraqet rrezik të shtuar për aksidente, sidomos në kushtet kur drejtuesit e mjeteve shpesh nuk respektojnë kufizimet e shpejtësisë.
“Zhvendosja e një makine në momentin kur kalon atë gungë rrit ndjeshëm riskun për aksidente,” thekson ai, duke shtuar se ky problem, ndonëse mund të duket i vogël, mund të ketë pasoja të mëdha nëse nuk trajtohet me seriozitetin e duhur.
Në reagimin e tij, Malaj thekson se nuk është në kërkim të fajtorëve, por synon të rrisë ndërgjegjësimin qytetar dhe institucional për parandalimin e rreziqeve në rrugë. Ai nënvizon se përgjegjësia për sigurinë është e përbashkët dhe fillon nga vetë qytetarët.
“Parandalimin e çdo të keqeje duhet ta bëjmë ne. Minimalisht, kur e bëjmë, shpëtojmë aksidente. Maksimalisht, kur nuk e bëjmë, bëhemi bashkëfajtorë,” shprehet Malaj, duke dhënë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e reagimit në kohë ndaj çdo problematike që mund të rrezikojë jetën.
Ish-ministri i nderuar i qeverisë socialiste bën të ditur gjithashtu se më herët një shqetësimi të tillë për një tjetër tunel me problematikë serioze e ka adresuar pranë Policisë Rrugore në Lushnjë, e cila, sipas tij, e ka mirëpritur këtë raportim. Ai shton se do të vijojë komunikimin edhe me strukturat e Policisë Rrugore në Elbasan, për të ndjekur nga afër zgjidhjen e këtij problemi.
Tuneli i Elbasanit ose Tuneli i Krrabës sikurse njihet nga të gjithë është një nga segmentet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në vend, me një fluks të lartë automjetesh çdo ditë, përfshirë edhe lëvizjen e zyrtarëve të lartë. Në këtë kontekst, çdo defekt apo problem teknik, sado i vogël, kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur ngjarje të rënda.
Apeli i Arben Malajt vjen si një thirrje serioze që duhet vlerësuar për reagim të shpejtë nga institucionet përgjegjëse, por edhe si një kujtesë për drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, veçanërisht në segmente të ndjeshme si tunelet.

