Taulant Balla, Kreu i Grupit Parlamentar të PS
TIRANË, 30 prill 2026 /Albania Express News/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot, se “SPAK po çmonton korrupsionin shumëvjeçar në Shqipëri”.
I pyetur nga gazetarët jashtë dyerve të godinës së Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ku ishte i pranishëm në cilësinë e kallëzuesit për çështjen “Partizani”, Balla tha se politikanët që shkojnë në SPAK duhet të mbështesin drejtësinë.
“Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë, që në bankën e të akuzuarve gjendet një ish-kryeministër, një ish-president për korrupsion. A kanë bërë politikanët korrupsion në Shqipëri? Padyshim që kanë bërë korrupsion. Dhe ajo që thamë në vitin 2016, kur miratuam reformën në drejtësi, me votën e të gjithëve, edhe me votën e atij që gjendet në bankën e të akuzuarve, që do të vijë një ditë në Shqipëri kur politikanët do të gjenden në bankën e të akuzuarve për korrupsion.
“Unë besoj se shqiptarët sot kanë më shumë besim te drejtësia dhe drejtësia është një institucion i cili po forcohet dita ditës. Ajo që mendoj unë që politikanët që vijnë këtu duhet qtë mbështesin drejtësinë, të mbështesin punën e lavdërueshme të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, të cilët po të çmontojnë korrupsionin shumëvjeçar në Shqipëri.”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se i qendron kallëzimit të tij.
“Këtij kallëzimi e kam sjellë me vete. I qëndroj fjalë për fjalë. Ky është rasti tipik i korrupsionit të zyrtarëve të lartë ku familjari jot shkon dhe u premton atyre që t’u kthehet prona, ua merr kontratën përpara me 5%, edhe 5% është korrupsion, sot po flasim për korrupsion”, u shpreh Balla.
Balla tha se sot Shqipëria është më afër se kurrë Bashkimit Evropianë edhe falë drejtësisë së re. “Që nga viti 1912, kur shqiptarët bënë shtetin e tyre të parë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Dhe arsyeja pse jemi shumë më afër Europës është reforma në drejtësi e cila ka rikthyer besimin tek drejtësia, një besim që nuk ka qenë asnjëherë, dhe se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Bashkimit Europian, se institucionet e Bashkimit Europian konfirmojnë dita ditës që Shqipëria po bën hapa të lavdërueshëm, dhe t’ju konfirmoj se pritshmëria jonë që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat dhe brenda vitit 2030 në oborrin e Bashkimit Europian të ngremë flamurin kuq e zi është e vërtetë”.
Në GJKKO mbahet sot seanca e radhës për dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi e të tjerë, për privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka pranuar kërkesën e SPAK për thirrjen në gjyq të 11 dëshmitarëve. Në seancën e sotme pritet të dëshmojnë tetë prej tyre, duke nisur nga deputeti i PS-së Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes.

