Në Elbasan ka vijuar procesi i konsultimeve publike për buxhetin afatmesëm, me ndalesën e radhës në Rajonin Nr. 2.
Këto dëgjesa po organizohen në të gjithë qytetin dhe njësitë administrative, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në diskutimin e prioriteteve dhe projekteve për tre vitet e ardhshme, si pjesë e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës vendimmarrjeje.
E pranishme në këtë takim, deputetja Aulon Abylykbashi theksoi rëndësinë e konsultimeve si bazë e shprehjes së demokracisë. Ajo u shpreh se buxheti afatmesëm përfaqëson një planifikim strategjik trevjeçar, që përcakton drejtimin e investimeve dhe shpenzimeve të bashkisë, duke reflektuar kërkesat dhe interesat e komunitetit.
Në vijim, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja e vendosi theksin te rëndësia e këtij procesi për ndërtimin e një vizioni të qartë zhvillimi për qytetin.
“Buxhetimi afatmesëm është një proces që na ndihmon të planifikojmë tre vitet e ardhshme, për të pasur një vizion më të qartë për zhvillimin e Elbasan dhe rajoneve të tij. Ne kemi dëgjuar qytetarët dhe po veprojmë, ndaj jemi këtu për të marrë mendime të drejta dhe të konsultuara me publikun,” u shpreh Llatja.

Duke folur për investimet konkrete, ai theksoi se , “ne po bëjmë 22 mijë metra katrorë terrene sportive dhe kënde lojërash, si edhe hapësira për të moshuarit, që do të përbëjnë parkun më të madh në Shqipërinë e mesme, një terren fantastik për qytetarët.”
Llatja u ndal edhe te projektet madhore që janë në vijim, si zhvillimi i zonës së ish-metalurgjikut përmes një masterplani të ri, ndërhyrjet në Kalaja e Elbasanit dhe projekti i automotoparkut.
“Nëse nuk kemi një ekonomi të shëndetshme, nuk kemi edhe si të gjejmë paratë për investime apo për të mbështetur shtresat në nevojë apo për të bërë pallatet me kapotë,” u shpreh ai.
Duke vijuar me projektet konkrete, kryebashkiaku theksoi se në buxhetin afatmesëm parashikohet edhe rikonstruksioni i tregut kryesor të qytetit, një investim me vlerë mbi 1.5 milion euro, me qëllim zgjidhjen e problematikave dhe rritjen e potencialit ekonomik të zonës. Gjithashtu, ai përmendi ndërhyrjen në kryqëzimin e Cërrikut për lehtësimin e trafikut, si dhe transformimin e shëtitores përgjatë lumit Shkumbin në një nga hapësirat më tërheqëse publike.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe zgjerimi dhe modernizimi i bibliotekës publike, për ta kthyer atë në një hapësirë bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.
“Në thelb, ne duam t’i japim një frymë tjetër projekteve të mëdha trevjeçare,” u shpreh Gledian Llatja.
Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e PS, dega Elbasan, Ermira Urupi, e cila vlerësoi investimet e realizuara dhe projektet që vijojnë në qytet.
Konsultimet për buxhetin afatmesëm do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative, me synimin për të përfshirë sa më shumë qytetarë në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të bashkisë.

