GOLEM /DURRËS , 14 nëntor 2026/Albania Express News/-Në një ceremoni të veçantë në ambientet e FAFA-s, në Golem, me pjesëmarrjen e personaliteteve të jetës publike, intelektualëve, përfaqësuesve institucionalë dhe dhjetëra miqve e bashkëpunëtorëve, mësuesi, gazetari dhe kryetari i Shoqatës Atdhetare “Tomorri” Durrës, Hajri Nuhu, u nderua me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Skraparit”. Vlerësimi, i akorduar në prag të 65-vjetorit të lindjes së tij, vjen si mirënjohje për lidhjen e veçantë me vendlindjen, kontributin në arsim, gazetari dhe përkushtimin e vazhdueshëm për bashkimin e komunitetit skraparli.
Një mbrëmje e mbushur me emocione, mirënjohje dhe vlerësime për një jetë të lidhur ngushtë me arsimin, gazetarinë, kulturën dhe veprimtarinë atdhetare. Hajri Nuhu, një prej figurave të njohura të komunitetit skraparli në Durrës, është shpallur “Qytetar Nderi i Skraparit”, një titull që përfaqëson jo vetëm një vlerësim institucional, por edhe një shprehje të mirënjohjes së një komuniteti për kontributin e tij shumëvjeçar.

Ceremonia e dorëzimit të titullit u zhvillua më 13 nëntor 2026, në ambientet e kompleksit Grand Blue FAFA, në Golem, Durrës, në një veprimtari të organizuar nga Bashkia Skrapar dhe dega e Shoqatës Atdhetare “Tomorri” Durrës, nën kujdesin e sipërmarrësit dhe presidentit të FAFA Group, Fatos Çerenishti.
Aktiviteti u zhvillua në prag të 65-vjetorit të lindjes së Hajri Nuhut, duke marrë një domethënie të veçantë për të nderuarin, familjen e tij, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që ndër vite kanë ndarë me të angazhimin për ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave të trevës së Skraparit.

Bashkia Skrapar vlerëson kontributin e Hajri Nuhut
Në ceremoninë e organizuar për këtë rast, kryetari i Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi kontributin e Hajri Nuhut në disa fusha të jetës shoqërore, duke evidentuar përkushtimin e tij si mësues, gazetar, aktivist dhe drejtues i shoqatës atdhetare “Tomorri” Durrës.
Përmes këtij vlerësimi, Bashkia Skrapar nderon një personalitet që, pavarësisht jetesës dhe angazhimit të tij në Durrës, ka ruajtur një lidhje të pandërprerë shpirtërore, kulturore dhe njerëzore me vendlindjen dhe njerëzit e saj.

“Ta gëzosh titullin e lartë ‘Qytetar Nderi i Skraparit’, miku ynë, Hajri Nuhu!”, ishte urimi i kryebashkiakut Adriatik Mema drejtuar të nderuarit.
Ky titull merr një vlerë të veçantë edhe për faktin se Hajri Nuhu ka qenë ndër njerëzit që kanë punuar për të mbajtur të bashkuar komunitetin skraparli në Durrës, duke e kthyer shoqatën “Tomorri” në një hapësirë bashkëpunimi, komunikimi dhe ruajtjeje të identitetit të përbashkët.

Fatos Çerenishti: Një event që më mbushi zemrën
Një rol të veçantë në organizimin dhe atmosferën e kësaj veprimtarie pati sipërmarrësi i njohur Fatos Çerenishti, president i FAFA Group, i cili vuri në dispozicion mikpritjen e kompleksit FAFA për këtë organizim të rëndësishëm.
Në një reagim të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Çerenishti e cilësoi ceremoninë si një prej aktiviteteve që e kanë emocionuar më shumë gjatë veprimtarive të organizuara ndër vite.

“Një nga eventet që më ka mbushur zemrën më shumë se asnjëherë tjetër në aktivitetet që kemi zhvilluar bashkë. Miku i të gjithëve, Hajri Nuhu, nderohet me titullin ‘Qytetar Nderi i Skraparit’”, shkruan ai.
Duke iu referuar emocioneve të Hajri Nuhut pas marrjes së titullit, Fatos Çerenishti veçon një shprehje të tij, e cila përmbledh më së miri domethënien njerëzore të këtij vlerësimi:

“Njeriu jeton edhe për një ditë si kjo.”
Sipas Çerenishtit, kjo shprehje përçon një mirënjohje të veçantë dhe dëshmon lidhjen e thellë që Nuhu ka me krahinën dhe banorët e saj.
Çerenishti thekson gjithashtu se Hajri Nuhu ka arritur të bashkojë rreth vetes komunitetin e madh skraparli që jeton në Durrës, ku sipas tij numërohen rreth 20 mijë banorë me origjinë nga Skrapari, të cilët e duan dhe e respektojnë figurën e tij.

“Ky njeri ka një lidhje shpirtërore të veçantë me krahinën dhe me popullin e asaj krahine. Ai bën bashkë 20 mijë skraparlinj që jetojnë në qytetin e Durrësit, që vërtet e duan e respektojnë këtë njeri”, shprehet Çerenishti, duke e përmbyllur mesazhin me urimin: “Ta gëzosh titullin e merituar, mik!”.
Një ceremoni me pjesëmarrjen e personaliteteve të shumta
Veprimtaria nuk ishte thjesht një ceremoni protokollare e dorëzimit të një titulli nderi. Ajo u shndërrua në një takim të gjerë të njerëzve të arsimit, kulturës, gazetarisë, institucioneve, shoqërisë civile dhe komunitetit skraparli, të cilët u bashkuan për të shprehur respektin dhe vlerësimin për Hajri Nuhun.

Në aktivitet morën pjesë deputetë me origjinë nga Skrapari, përfaqësues të institucioneve, drejtues arsimorë, mësues, intelektualë, krijues, gazetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të të nderuarit.
Një vlerësim të veçantë solli edhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar Durrës, Hazbi Lika, ndërsa pjesëmarrja dhe përshëndetjet e personaliteteve të ndryshme i dhanë ceremonisë një dimension më të gjerë institucional, kulturor dhe shoqëror.

Mesazhe dhe përshëndetje për Hajri Nuhun përcollën publicisti i njohur Zylyftar Hoxha, i cili, megjithëse nuk ishte fizikisht i pranishëm, u bë pjesë e aktivitetit përmes një mesazhi të ndjerë, si dhe prof. dr. Ajli Alushani, i cili dërgoi përshëndetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve, poeti i njohur Agim Bajrami, solli gjithashtu një përshëndetje dhe vlerësim për figurën e Nuhut, duke i dhënë veprimtarisë një tjetër dimension artistik e intelektual.

Mesazhe vlerësimi u përcollën edhe nga Emiliano Biraku dhe Rushan Dosti, ndërsa intelektuali Olti Dervishi solli një përshëndetje me përmbajtje vlerësuese dhe reflektuese.
Në emër të strukturave drejtuese të shoqatës foli edhe nënkryetari Fatri Mezini, i cili përcolli urimet dhe mesazhin për vazhdimin e punës së nisur në shërbim të komunitetit dhe vlerave të trevës. Përshëndetje dhe vlerësime përcolli edhe Dashnor Dosti.

Një tjetër moment me domethënie të veçantë ishte prezantimi i një albumi fotografik, ideuar nga Dashnor Dosti dhe Hajri Kapllani, i cili solli për të pranishmit kujtime, episode dhe momente nga veprimtaria e Hajri Nuhut dhe lidhjet e tij me njerëzit e krahinës.
Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve, Hajdar Domi, i cili me fjalën dhe vlerësimin e tij plotësoi dimensionin historik dhe atdhetar të kësaj veprimtarie.

Emocion të veçantë sollën edhe vargjet e mësuesit veteran Ferit Lushka dhe fjalët e mësuesit të njohur tomorricar Xhevdet Shallari.
Një përfaqësim domethënës për historinë personale dhe profesionale të Hajri Nuhut ishte prania e vëllezërve Nazif dhe Ismet Selimi, të ardhur posaçërisht nga Jagolli i Kërçovës, në Maqedoninë e Veriut, treva ku Nuhu, si mësues misionar, ka lënë gjurmët e tij në rrugëtimin arsimor dhe njerëzor.

Emocionet e Hajri Nuhut: “Pashë, preka dhe ndjeva respektin e një komuniteti të tërë”
Pas marrjes së titullit, Hajri Nuhu ndau me publikun emocionet dhe mirënjohjen e tij përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në faqen e tij zyrtare.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi këtë ditë si një prej momenteve më të rëndësishme të jetës, jo vetëm për shkak të titullit të marrë, por mbi të gjitha për respektin dhe dashurinë që ndjeu nga njerëzit e pranishëm.

“Ka ditë që kulmojnë jetën e një njeriu. Për mua kjo ditë ishte dje. Jo vetëm për titullin e nderit që më dha Skrapari. Ishte dita e emocioneve të mëdha. Pashë, preka e ndjeva respektin e një komuniteti të tërë, skraparllinj e jo vetëm”, shkruan Nuhu.
Ai tregon se pjesëmarrja e intelektualëve, profesorëve, mësuesve, personaliteteve të ardhura nga Tirana, Skrapari dhe qytete të tjera, e bëri këtë aktivitet një përjetim të veçantë.

Me sinqeritet dhe emocion, Nuhu pranon se këtë herë e pati të vështirë të fliste për veten, pasi, siç shprehet ai, ishte hera e parë që e bëri këtë në një ceremoni të tillë.
Ai shpreh mirënjohjen e tij për kryetarin e Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, për fjalët dhe vlerësimin e përcjellë, si dhe për deputetët me origjinë nga Skrapari që morën pjesë në këtë veprimtari.

Një falënderim të veçantë i kushton edhe Hazbi Likës, drejtorit të DRAP Durrës, ndërsa për sipërmarrësin Fatos Çerenishti përdor fjalë të veçanta mirënjohjeje, duke theksuar se për atë që bën dhe për mbështetjen e vazhdueshme, i mbetet borxhli për gjithë jetën.
“Si përherë, Fatos Çerenishti sjell tjetër atmosferë në shtëpinë e madhe FAFA. Të gjithë e më shumë se të tjerët unë i mbetem ‘borxhli’ tërë jetën. Për atë që është e bën ky njeri i mrekullueshëm”, shkruan Nuhu.

Në mesazhin e tij, ai ndalet edhe te përshëndetjet e miqve, intelektualëve dhe personaliteteve që, për arsye të ndryshme, nuk mundën të ishin fizikisht të pranishëm, por që u bënë pjesë e kësaj dite përmes mesazheve të tyre.
Përshëndetjet e Zylyftar Hoxhës dhe prof. dr. Ajli Alushanit, si dhe fjalët e Agim Bajramit, Emiliano Birakut, Rushan Dostit dhe Olti Dervishit, sipas tij, ishin pjesë e emocioneve që e shoqëruan gjatë gjithë ceremonisë.
Ai vlerëson gjithashtu kontributin e drejtuesve të shoqatës, bashkëpunëtorëve dhe miqve, duke veçuar Fatri Mezinin, Dashnor Dostin dhe Hajri Kapllanin.

Një vend të veçantë në kujtimet e tij zënë albumi fotografik i përgatitur për këtë rast, vargjet e Ferit Lushkës, fjalët e Xhevdet Shallarit dhe prania e vëllezërve Nazif e Ismet Selimi, të cilët udhëtuan nga Jagolli i Kërçovës për të qenë pranë tij.
Për Nuhun, të gjitha këto momente e shndërruan ceremoninë në një përjetim që do të mbetet gjatë në kujtesën e tij.
Muzika dhe polifonia i dhanë ceremonisë atmosferë festive
Përveç mesazheve institucionale dhe vlerësimeve intelektuale, ceremonia u shoqërua edhe me momente artistike dhe muzikore.
Atmosferën festive e krijuan i mirënjohuri Dule Malindi, këngëtari durrsak Ylli Çiftja dhe interpretimet e dy zërave të njohur të polifonisë, Nesim Mëno dhe Xhevahir Bora.

Kënga, muzika dhe polifonia u bënë pjesë e një mbrëmjeje ku tradita, kujtesa, miqësia dhe identiteti krahinor u ndërthurën natyrshëm, duke i dhënë aktivitetit karakterin e një feste të madhe komunitare.
Shoqata “Tomorri”, një urë lidhëse mes Skraparit dhe Durrësit
Titulli “Qytetar Nderi i Skraparit” është gjithashtu një vlerësim për punën e vazhdueshme të Hajri Nuhut në drejtimin e Shoqatës Atdhetare “Tomorri” Durrës.
Përmes kësaj strukture, ai ka kontribuar në organizimin e veprimtarive me karakter atdhetar, kulturor dhe shoqëror, duke mbajtur gjallë lidhjet mes njerëzve me origjinë nga Skrapari, të cilët prej vitesh jetojnë dhe punojnë në Durrës.

Shoqata ka shërbyer si një pikë takimi për bashkëatdhetarët, si një hapësirë për ruajtjen e traditave dhe promovimin e vlerave të trevës, por edhe si një mekanizëm për të forcuar marrëdhëniet mes brezave.
Në këtë kuptim, vlerësimi i Bashkisë Skrapar për Hajri Nuhun përfaqëson edhe një mirënjohje për angazhimin e tij në shërbim të komunitetit dhe përpjekjet për të ruajtur identitetin e përbashkët të skraparlinjve, pavarësisht largësisë gjeografike.

“Krenar për ju!” – Një ditë që kthehet në përgjegjësi për të ardhmen
Në përfundim të mesazhit të tij, Hajri Nuhu shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj dite, duke përfshirë mësuesit e shkollës ku punon, drejtuesit e institucioneve, miqtë, shokët, bashkëpunëtorët, krijuesit dhe përfaqësuesit e medias.
Ai vlerëson edhe qindra komentet dhe urimet e publikuara në portalin “Orakujt e Tomorrit” dhe në rrjetet sociale, të cilat, sipas tij, e bënë këtë ditë edhe më të bukur dhe më të paharrueshme.
Por përtej emocionit dhe kënaqësisë së marrjes së një titulli të lartë, Nuhu e sheh këtë vlerësim edhe si një përgjegjësi të re për të ardhmen.

“Vlerësimi i Skraparit tim, gjithë këta që përmenda dhe tërë auditori, mësues të shkollës ku punoj, drejtues të institucioneve, miq, shokë, bashkëpunëtorë, krijues e njerëz të shtypit, me praninë, me përshëndetjet, me fjalët e ngrohta e më pas qindra komente në portalin ‘Orakujt e Tomorrit’ e në rrjete sociale ma bënë këtë ditë, ditën më të bukur të jetës sime. Më rritën përgjegjësinë për punë të tjera të mira në dobi të bashkimit e të ruajtjes së vlerave më të mira të trevës sonë”, shkruan ai.
Dhe në fund, një falënderim që përmbledh gjithë emocionet e kësaj dite:
“Ju faleminderit të gjithëve! Krenar për JU!”
Një titull nderi, një jetë me përkushtim dhe një komunitet që di të vlerësojë njerëzit e tij. Për Hajri Nuhun, 13 nëntori 2026 do të mbetet një datë e veçantë, jo thjesht për medaljen simbolike të një titulli, por për mesazhin njerëzor që përcolli kjo ceremoni: respekti, mirënjohja dhe vlerësimi për kontributin e një njeriu janë ndër shpërblimet më të çmuara që mund të marrë dikush gjatë jetës.

