NGA OLSI AVDIAJ


Kuriozitete nga përballjet Dinamo City – AF Elbasani (2024–2026)
Prej rikthimit të AF Elbasanit në elitën e futbollit shqiptar, në vitin 2024, përballjet me Dinamo City kanë prodhuar rezultate interesante dhe shpeshherë surprizuese. Deri në shtator 2026, dy skuadrat janë përballur 10 herë në kampionat, me një bilanc që anon nga dinamovitët: 5 fitore për Dinamon, 3 për Elbasanin dhe 2 barazime. Dinamo ka shënuar 18 gola, ndërsa verdheblutë 12. Kurioziteti më i madh është se fitorja më e thellë e Dinamos ishte pikërisht në Elbasan, më 4 nëntor 2024, kur triumfoi me rezultatin e thellë 5-0. Por verdheblutë kanë ditur të përgjigjen me rezultate bindëse: 2-0 më 25 janar 2026 dhe 3-0 më 24 maj 2026. Një tjetër e dhënë interesante është se në katër përballjet e para, nga shtatori 2024 deri në mars 2025, Elbasani nuk arriti të fitonte asnjë takim, ndërsa në sezonin 2025-2026 regjistroi tri fitore në pesë ndeshje. Takimi i fundit, më 6 shtator 2026, përfundoi me fitoren 2-1 të Dinamos. Kështu, përpara përballjes së radhës, historia e rezultateve dëshmon se rivaliteti është bërë gjithnjë e më interesant dhe se Elbasani ka arritur të përmbysë gradualisht raportet e fillimit.
Bilanci i 10 përballjeve:
- Dinamo City: 5 fitore.
- AF Elbasani: 3 fitore.
- Barazime: 2.
- Golat: 18-12 për Dinamon.
NGA BASHKËPUNIMI TE RIVALITETI SPORTIV
Kalimi i Glen Dajës nga roli i ndihmëstrajnerit në një skuadër ku duhet të jetë ai personi kryesor në drejtimin teknik përbën një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Tek Elbasani, ai do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë dhe filozofinë e tij si trajner i parë, në një kampionat ku presioni i rezultateve është i vazhdueshëm.
Nga ana tjetër, Ilir Daja vazhdon punën te Dinamo, një skuadër me objektiva të rëndësishëm dhe me pretendime për të qenë mes ekipeve kryesore të kampionatit. Për të, ky sezon ka edhe një dimension të veçantë, pasi në garë do të jetë edhe djali i tij, tashmë në një rol krejtësisht të ndryshëm. Sigurisht, në fushë nuk do të ketë privilegje familjare.
Secili do të mbrojë interesat e klubit që përfaqëson dhe do të gjykohet nga rezultatet. Tani, kalendari i vendos përballë njëri-tjetrit dhe historia do të marrë edhe një tjetër dimension, me babanë dhe djalin në dy pankina kundërshtare.

MBIEMRI I NJËJTË, SFIDA TË NDRYSHME
Për Ilir Dajën, karriera e gjatë dhe rezultatet e arritura e kanë vendosur prej vitesh mes trajnerëve më të spikatur të futbollit shqiptar. Për Glenin, aventura tek Elbasani është një mundësi për të ndërtuar emrin e tij dhe për të treguar se mund të ecë me forcat e veta në këtë profesion. Në fund, kjo është edhe veçantia e historisë së tyre. Një baba që ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar dhe një djalë që nis të krijojë identitetin e vet në të njëjtën fushë.
Dy skuadra, dy objektiva dhe një mbiemër që këtë sezon do të jetë i pranishëm në dy pankina të Kategorinë Superiore. Fundja, në Elbasan besojnë te triumfi, sepse mbiemri është i njëjtë. Dhe Gleni shpreson të tregojë se i ka marrë të gjitha të fshehtat e “profesorit”. Pastaj mbetet vetëm një pyetje: a do të bëhet realitet shprehja “bëmë baba të të ngjaj” / PANORAMASPORT.AL

