Deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasan, Adi Qose, ka propozuar hartimin e një Plani Kombëtar për ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët që përballen me procedurat pranë Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komisionit të Drejtësisë, Qose theksoi se, pavarësisht përmirësimeve ligjore dhe iniciativave të ndërmarra nga qeveria dhe institucionet përkatëse, proceset që lidhen me të drejtën e pronës vijojnë të mbeten një nga sfidat kryesore për qytetarët.
“Shumë familje përballen çdo ditë me procedura të ndërlikuara, mungesë informacioni dhe kosto që e bëjnë të vështirë aksesin në të drejtat e tyre. Nga eksperienca ime, një pjesë e mirë e qytetarëve kanë nevojë për ndihmë juridike që në momentin kur bëjnë aplikimet e tyre,” u shpreh ai.
Deputeti solli në vëmendje edhe modelin e ndjekur nga Bashkia e Elbasanit, e cila ka qenë ndër të parat që ka ofruar shërbimin e ndihmës juridike falas për qytetarët, duke e cilësuar atë një projekt të suksesshëm me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e aksesit në drejtësi.
“Ky shërbim ka sjellë efekte shumë pozitive për qytetarët e Elbasanit dhe është një praktikë që mund të shtrihet në nivel kombëtar,” theksoi Qose.
Ai nënvizoi se mbetet e domosdoshme një bashkëpunim më i thelluar mes Ministria e Drejtësisë dhe Agjencisë së Kadastrës, për të parandaluar zvarritjen e proceseve që shpesh nisin si aplikime të pasakta për shkak të mungesës së njohurive juridike.
“Do të ishte shumë e rëndësishme që qytetarëve t’u ofrohet ndihmë juridike falas, në mënyrë që të aplikojnë saktë dhe të përfitojnë të drejtat që u takojnë, pa u përballur me pengesa dhe vonesa të panevojshme,” përfundoi ai.

