Flet legjenda Mihal Gjika: Elbasani në stilin e Real Madridit ndaj Partizanit

Fitorja e Elbasanit ndaj Partizanit në ndeshjen e fundit ka lënë mbresa shumë pozitive, sidomos duke parë mënyrën sesi erdhi. Me një lojtar më pak për afro 70 minuta, skuadra arriti të sigurojë një fitore bindëse me shifrat e pastra 3-0, duke treguar karakter, organizim dhe efikasitet të lartë në fushën e lojës. Elozhe për këtë paraqitje ka dhënë edhe legjenda e futbollit elbasanas, Mihal Gjika. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi i njohur i verdhebluve e krahasoi paraqitjen e skuadrës, sidomos në momentet e kundërsulmit, me nivelin e gjigantëve botërorë si Real Madrid. “Unë do ta cilësoja si një ndeshje të jashtëzakonshme, duke parë mënyrën sesi nisi dhe interpretimin që skuadra e Elbasanit i bëri edhe me një lojtar më pak në fushën e lojës. Në gjykimin tim ajo pati dy tablo: pjesa e parë foli për Partizanin, që arriti të krijonte raste për shkak të superioritetit numerik. Ndërsa pjesa e dytë ishte e shkëlqyer nga ana e Elbasanit, duke bërë një interpretim që, për hir të së vërtetës, është meritë e trajnerit dhe e lojtarëve që e zbatuan në fushë. Jo vetëm për rezultatin me tre gola, por edhe taktikisht luajtën shumë mirë. Kundërsulmi që aplikuan ishte tipik si i Realit të Madridit, që të zë në befasi dhe nuk i jep mundësi kundërshtarit të reagojë”, u shpreh fillimisht Gjika.

TEUTA – Në vijim, Gjika ndalet edhe te përballja e radhës me Teutën. Përpos entuziazmit të momentit, ai thekson se skuadra duhet të tregojë kujdes maksimal dhe se edhe një pikë do të ishte rezultat pozitiv në transfertë. “Me Teutën do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Unë do të isha i kënaqur edhe me një pikë, duke parë sa i fortë është bërë kampionati. Të tjerët ndoshta kërkojnë patjetër tri pikë, por harrojnë se bëhet fjalë për një transfertë ndaj një ekipi me cilësi, që nuk do të vërë në rrezik objektivat e veta. Gjithsesi, skuadra me formën që po tregon i ka të gjitha shanset për të dalë me fitore, por gjithmonë me këmbë në tokë dhe pa eufori”, shtoi ai.

TITULLI – Në fund, ish-mbrojtësi flet edhe për garën për titull dhe Kupë, ku Elbasani është ende në lojë në të dyja frontet. “Tani duhet të jemi realistë dhe jo euforikë. Nuk është momenti për të folur për titull, edhe për vetë faktin se formula e kampionatit e bën garën shumë të hapur. Fillimisht duhet të sigurojmë një vend në katërshe, të përmirësojmë elementët që kanë nevojë dhe të synojmë finalen e Kupës. Këto janë objektiva konkrete për momentin. Kur të vijë koha për të diskutuar titullin, atëherë mund të flasim më qartë”, përfundoi Gjika. Aktualisht, Elbasani mban vendin e dytë në kampionat, me tri pikë më pak se Vllaznia dhe dy më shumë se Egnatia e vendit të tretë, duke e bërë garën për kreun tepër të fortë dhe të hapur.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME