Sali Berisha: Turizmi në rënie, shëndetësia në kolaps

TIRANË, 11 prill /Albania Express News/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot në rrjetet sociale, u shpreh se turizmi në Shqipëri është dëmtuar ndjeshëm nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit me rreth 35%.

Sipas Berishës, “ky zhvlerësim në dy vitet e fundit ka boshatisur plazhet e Shqipërisë dhe ju garantoj se këtë vit do të jenë edhe më të boshatisura, sidomos pas njoftimit për një rrezik potencial iranian. Shqipëria do të vazhdojë në të njëjtën ecuri si në dy vitet e fundit.

Nga Semani deri në Kepin e Stillës, madje nga Velipoja deri në Kepin e Stillës, ndonëse janë ndërtuar 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, përveç njërit, asnjëri nuk funksionon. Të gjitha ujërat e zeza derdhen në det.

Impiantet ekzistojnë, por nuk paguhet energjia elektrike për funksionimin e tyre. Çfarë turizmi u ofrohet kështu? Turizmi i ndotjes. Ndaj plazhet braktisen, ndërsa mediat e kontrolluara nga qeveria paraqesin një realitet tjetër, me pamje sporadike sikur turizmi është në lulëzim, në një kohë kur plazhet janë bosh.

Ndërkohë, si turistë numërohen edhe pasagjerët e linjave ‘low-cost’ në aeroportin e Rinasit. Ky është ‘bumi turistik’ i Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

I pyetur për shëndetësinë, Berisha tha se “ndër të gjitha problemet, më i dhimbshmi është shkatërrimi i shëndetësisë, ku të sëmurët përballen me dy ndëshkime: atë të sëmundjes dhe mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor”.

Ai solli si shembull një rast konkret: “Një mjek i njohur tregonte se ishte importuar një aparaturë me vlerë 600 mijë euro, në instalimin e së cilës morën pjesë edhe drejtues të lartë. Por pajisja nuk u përdor për pacientët, pasi mungonin disa aksesorë. Edhe sot, ato ndërhyrje nuk kryhen për të njëjtën arsye.

Çdo javë nga spitali onkologjik raportohet për mungesë ilaçesh, për mosfunksionim të brankiterapisë prej muajsh dhe për pacientë që mbeten pa trajtim apo presin në kushte të papërshtatshme”, tha Berisha.

Berisha premtoi gjithashtu rritjen e pagave në sektorin e shëndetësisë.

“Do të rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve, duke i afruar me nivelet e vendeve të zhvilluara. Do të sanksionojmë të drejtat e pacientëve dhe do të mbajmë përgjegjës çdo institucion që nuk i garanton ato.

Garantoj shqiptarët se nuk do të mungojë asnjë ilaç i domosdoshëm, sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kjo situatë u krijua sepse qeveria ndërhyri në sistemin e analizave laboratorike, duke lënë jashtë profesionistët dhe duke dëmtuar kapacitetet ekzistuese”, u shpreh ai

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME