Superndeshja AF Elbasani -Partizani ,tifozëria dhe femrat gati për spektaklin në tribunat e stadiumit “Elbasan Arena “

I gjithë Elbasani po përjeton ditë të jashtëzakonshme emocionesh dhe krenarie sportive. Në çdo rrugë, lagje e kafe të qytetit dhe rrethinave nuk flitet për asgjë tjetër veç ndeshjes së shumëpritur që AF Elbasani do të luajë mbrëmjen e së hënës në “Elbasan Arena” përballë Partizanit. Një sfidë që ka ndezur zemrat e tifozëve dhe që pritet të sjellë një dyndje të paprecedentë drejt stadiumit.

Interesimi është i jashtëzakonshëm. Biletat të cilat kanë dalë në shitje që këtë fundjavë pritet të shterojnë, ndërsa shkallët e stadiumit do të mbushen si rrallëherë më parë, në një atmosferë që premton spektakël jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë moment është prania e madhe e femrave në stadium , të cilat tashmë janë kthyer në një pjesë të pandashme të tribunave në mbështetje të verdhebluve.

Vendimi i drejtuesve të Akademisë së Futbollit Elbasani muajin e kaluar për hyrjen falas të femrave në çdo ndeshje në “Elbasan Arena” ka rezultuar një sukses i padiskutueshëm. I mirëpritur gjerësisht nga opinioni sportiv elbasanas, ky gjest ka marrë jehonë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke e kthyer AF Elbasanin në një model unik .Ky klub futbolli  mund të jetë ndoshta edhe i vetmi  në botë që e aplikon një nismë të tillë në ndeshjet zyrtare.

Ky vendim nuk ka sjellë vetëm më shumë spektatorë, por ka krijuar një atmosferë ndryshe në stadiumin Elbasan Arena .Atmosfera tashmë është më familjare, më e  ngrohtë dhe më gjithëpërfshirëse. Në tribunat e “Elbasan Arena” tashmë shihen gjithnjë e më shumë vajza e gra, që brohorasin me të njëjtin pasion për ngjyrat verdheblu, duke i dhënë një dimension të ri tifozërisë.

AF Elbasani, i themeluar më 2 gusht 2021, është një histori suksesi e ndërtuar me ritme të shpejta. I lindur si një domosdoshmëri për të rikthyer dinjitetin e klubit historik të qytetit pas problematikave  ligjore, sot ai është kthyer në një nga skuadrat më të respektuara në futbollin shqiptar. Që në sezonin e parë, ekipi u shpall kampion i Kategorisë së Tretë (2021–2022), duke e përsëritur këtë sukses vit pas viti duke sinjalizuar ambiciet e tij të mëdha.

Edhe këtë sezon, AF Elbasani po shkëlqen në të gjitha frontet. Në Kupën e Shqipërisë, skuadra është në garë të fortë për finalen, pas barazimit 1-1 që arriti ndaj KF Egnatia në ndeshjen e parë gjysmëfinale në “Arena Egnatia”. Ndërkohë, në Abissnet Superiore, verdheblutë janë pretendentë seriozë për titullin kampion, duke treguar stabilitet, cilësi dhe karakter.

Pas këtij rrugëtimi të suksesshëm qëndron një punë e përbashkët: nga presidenca dhe financuesit, te stafi teknik dhe futbollistët që japin maksimumin në çdo ndeshje. Por një rol të pazëvendësueshëm luan edhe tifozëria një nga më të zjarrtat në vend, që nuk mungon asnjëherë, brenda apo jashtë fushe.

Dhe tashmë, ndërsa ora e përballjes me Partizanin afrohet, AF Elbasani është gati të japë një tjetër mesazh të fortë: Futbolli është pasion, është bashkim dhe është identitet. Shkallët e stadiumit “Elbasan Arena” këtë të hënë në mbrëmje  pritet të shndërrohen në një det verdheblu, ku zëri i tifozëve ,burra e gra njësoj ,do të shtyjë ekipin drejt një tjetër mbrëmjeje historike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME