NGA FATMIR POPJA
Në një botë ku arti shpesh kërkohet në galeri dhe muze, Kadife Karriqi ka zgjedhur ta sjellë atë aty ku askush nuk e pret ,në një pjatë të thjeshtë me fruta të gdhendura mjeshtërisht . Me duar të arta dhe një imagjinatë të pashtershme, ajo arrin të kthejë elementët më të zakonshëm të përditshmërisë në krijime që të lënë pa fjalë, duke dëshmuar se arti i vërtetë lind nga pasioni dhe përkushtimi.
Historia e saj nuk është thjesht rrëfimi i një artisteje, por një udhëtim frymëzues që nis nga sakrificat, puna e palodhur dhe dashuria për krijimtarinë, për të arritur sot në një identitet unik që po tërheq vëmendje brenda dhe jashtë vendit. Nga qëndistaria tek gdhendja artistike e frutave, Kadife Karriqi ka ndërtuar një rrugë të veçantë, duke sfiduar kufijtë e së zakonshmes dhe duke hapur horizonte të reja për artin dhe profesionin.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, ajo ndan me sinqeritet historinë e saj, momentet që i ndryshuan jetën, sfidat që ka kapërcyer dhe misionin për të përcjellë këtë art tek të rinjtë. Një rrëfim që nuk flet vetëm për suksesin, por mbi të gjitha për forcën e pasionit dhe besimin se edhe nga gjërat më të thjeshta mund të lindin mrekulli.
Zj, Kadife, si ka qenë fëmijëria juaj dhe çfarë ndikimi ka pasur familja në rrugën tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë dhe e vështirë, por e mbushur me dashuri për punën dhe krijimtarinë. Nëna ime ka qenë një njeri shumë i talentuar në punë dore dhe besoj se prej saj kam trashëguar këtë ndjeshmëri për artin. Ajo më ka frymëzuar shumë, edhe pse më vonë unë zgjodha një drejtim tjetër.Nëna ime ishte një mjeshtre e punimit me shtiza të çorapeve me ngjyra dhe lule shumë ngjyrëshe me fije leshi .Punimet e saj i vishnin artistët e grupeve të ndryshme në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Ajo punonte me shtiza si një mjeshtre e pa konkurueshme dhe me duart e arta të saj bënte punime edhe për pajën e martesës së vajzave të familjeve me emër të zonave të ndryshme.Nëna ime ka patur ndikim të madh në fillimit e mia në punët e dorës sidomos në punët me shtiza, me grep dhe në gatimet tradicionale .Do isha shumë e lumtur nëse nëna ime do kishte përjetuar sukseset e mija në artin e punimit me fruta, por për fatin e keq prej dhjetë vitesh ajo nuk jeton më.
Ju keni kaluar nga qëndistaria tek një art krejt i veçantë. Si ndodhi kjo kthesë?

Po, kam punuar për shumë vite si qëndistare dhe më pas si banakiere. Gjithçka nisi rastësisht një ditë kur kisha me vete disa fruta ,dy hurma dhe dy mandarina për ti konsumuar vetë dhe vendosa t’i improvizoj sa më bukur në një pjatë. Aty më doli një fytyrë qenushi dhe kjo më nxiti të vazhdoj. Thashë me vete , pse të mos provoj më shumë dhe që prej atij momenti nuk jam ndalur kurrë .Ishte një moment i thjeshtë, por që ndryshoi gjithçka.Në fillimet e mia punova si qëndistare në shtëpi sepse i kisha fëmijët të vegjël. Me të ardhurat që siguroja rrita fëmijët dhe mendova që të mos ndalem kurrë në këtë rrugëtim .Ndërsa puna si banakiere ishte një eksperiencë e bukur , por ishte punë e lodhshme.
Sa e vështirë ishte të lini një profesion dhe të ndiqni një pasion të ri?
Nuk ishte e lehtë, sepse çdo ndryshim ka pasiguritë e veta. Gjithmonë kam patur dëshirë të bëj diçka të vecantë që jo çdo kush mund ta bëjë .I vura detyrë vetes dhe besoj se ja kam dalë me sukses dhe ndjehem krenare.Në fillimet e punës jo çdo gjë dija ta bëja në mënyrë perfekte por isha e bindur se mund të ecja përpara dhe ja ku kam arritur. Por kur ndjen pasionin dhe kënaqësinë që të jep ajo që bën, e gjen forcën për të vazhduar edhe më tej dhe me ritme edhe më të shpejta.
Çfarë përfaqëson për ju arti i gdhendjes së frutave?
Është një mënyrë për të shprehur veten. Është art që lidhet me përditshmërinë, sepse ushqimi është pjesë e jetës sonë. Siç thoshin të vjetrit, është “syri i kuzhinës” ,kur ushqimi të kënaq syrin, të ushqen edhe shpirtin.Arti i gdhendjes në fruta pasqyron të bukurën.Punime të tilla të bukura me dekore të personalizuara janë jo vetëm unike por edhe të konsumueshme .
Sa kohë ju merr realizimi i një punimi dhe cilat janë sfidat kryesore?
Varet nga kompleksiteti, por çdo punim kërkon përqendrim dhe durim. Sfida më e madhe është që materiali është i brishtë dhe nuk të jep shumë hapësirë për gabime.Një punim zgjat minimumi 30 minuta, por edhe shumë më tepër .Kjo varet nga lloji i punimit dhe i frutit ku do punohet.Punimi me fruta të tilla si karrota,kungulli e panxhari janë mjaft të vështira.

Cilat janë krijimet që ju japin më shumë kënaqësi?
Portretet dhe figurat janë më sfiduese, por edhe më të bukurat. Kur arrin të japësh emocion përmes një fruti, është një ndjesi e veçantë.Një nga krijimet që më ka dhënë emocione të mëdha ka qenë shporta me mollë ku ishte realizuar portreti i Adem Jasharit e dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë .
Sot ju jeni edhe mësuese e kurseve profesionale. Si lindi kjo ide?
Pas disa vitesh eksperiencë mendova pse të mos e ndaj këtë pasion me të rinjtë. Tani jap mësim në kurse profesionale dhe kjo për mua është një kënaqësi e madhe.Ky ishte një finalizim i sukseseve të mia .Dhe inkurajimet kanë qenë të shumta nga të gjithë .Punimi që dërgova në Kosovë ishte një nxitje e madhe .Ai ishte një prej qindra e mijëra punimeve që kam realizuar.Kam ide pafund dhe sa më shumë punë bëj aq më tepër shtohen idetë e reja.
Si reagojnë nxënësit ndaj këtij arti?
Shumë mirë. Ata e shijojnë sepse është praktik dhe kreativ. Shpesh nuk e kuptojnë si kalon ora e mësimit, sepse krijojnë diçka me duart e tyre.
Çfarë përpiqeni t’u mësoni përtej teknikës?
Përveç teknikës, dua t’u mësoj durimin, përkushtimin dhe dashurinë për punën. Arti nuk është vetëm talent, por edhe disiplinë.Dua që këto lloj punimesh të masivizohen dhe të trashëgohen edhe te brezat e ardhshëm.Janë punime që po mahnisin gjithkënd .Turistët e huaj mbeten pa fjalë para këtyre punimeve.Si mësuese e kurseve profesionale jam përpjekur që të investohem
shumë për të edukur dhe mësuar grupe të rinjsh që ti përvetësojnë teknikat e gdhendjes së frutave dhe të bëjnë art me to dhe të sigurojnë fitime sa më të mëdha.Është një punë mjaft e bukur.Çdo ditë ka evente si ditëlindje,fejesa e dasme dhe kërkesat për punime të tilla interesante dhe unike sa vijnë e shtohen. jo vetëm në Shqipëri , por edhe nga jashtë,madje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Prandaj duhet të masivizohet si punë dhe të shtohen mjeshtrat e gdhendjes së frutave.

Sa e vështirë është të bësh karrierë në një fushë kaq të veçantë në Shqipëri?
Nuk është e lehtë, sepse është një fushë jo shumë e përhapur. Por kur ke pasion dhe punon fort, gjithmonë gjen rrugë.Fusha ku unë jam duke punuar çuditërisht nuk po ka rivalitet edhe pse është interesante dhe fitimprurëse.Gjatë kohëve të fundit kam identifikuar talente që mund të bëhen të famshëm.Por kjo punë është edhe e vështirë pasi kërkon shumë vullnet e përkushtim.Duhen respektuar maksimalisht kushtet e higjenës duke filluar nga larja e frutave të freskëta , desinfektimi i thikave,,mënyra e ruajtjes së tyre të freskëta .
Çfarë ju motivon të vazhdoni çdo ditë?
Dashuria për atë që bëj dhe kënaqësia që marr kur shoh reagimin e njerëzve dhe të nxënësve.Dua që ata të bëjnë mrekulli me duart e tyre. Në punimet e kësaj natyre kanë rëndësi detajet.Kur në një tavolinë vihet një pjatë me fruta e dekoruar bukur të shijon shumë më tepër.Estetika ja shton vlerën produktit dhe kthehet në një super reklamë për punën.

Ku e shihni veten në të ardhmen?
Dua të zhvilloj më tej këtë art dhe të krijoj mundësi që edhe të rinjtë ta shohin si një profesion të mundshëm pasi kërkesat po shtohen shumë .Më pëlqen kur marrin në dorëzim punimet e mia dhe më thonë me zë të lartë , ti Kadife je artiste .Kam ende edhe shumë nga ëndrrat e mia për ti realizuar dhe besoj se do i realizoj. Prandaj përfitoj nga rasti që të bëj një thirrje publike.Mbështesni sa më shumë artin dhe artistët.Nga e bukura vjen vetëm e bukura dhe për të bukurën kanë nevojë të gjithë.
Çfarë mesazhi keni për të rinjtë?
Të ndjekin pasionin e tyre dhe të mos kenë frikë nga ndryshimi. Çdo fillim është i vështirë, por me përkushtim gjithçka është e arritshme.
Historia ime është një dëshmi e gjallë se arti mund të lindë kudo edhe në një pjatë të thjeshtë me fruta. Me talent, përkushtim dhe dëshirë për të ndarë dijen, unë po përpiqem të frymëzoj një brez të ri artistësh, duke e kthyer një pasion të veçantë në një mision të vërtetë.


