Gllogjani, simbol i qëndresës shqiptare , përkujtohet 24 Marsi, dita e sakrificës dhe krenarisë kombëtare të Kosovës

Në Gllogjan, aty ku historia e qëndresës shqiptare u shkrua me gjak dhe sakrificë, është përkujtuar 24 Marsi ,një ndër datat më të rëndësishme të rrugëtimit kombëtar drejt lirisë. Në këtë vend simbol, ku qëndresa u kthye në histori dhe sakrifica në themel të lirisë u mblodhën qytetarë, përfaqësues institucionesh dhe familjarë të dëshmorëve për të nderuar një nga momentet më domethënëse të luftës çlirimtare.

Kjo datë rikthen në kujtesë vuajtjet, vetëmohimin dhe përkushtimin e shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar ,vlera që kanë mbijetuar ndër shekuj dhe që vazhdojnë të jenë busull për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Gllogjani i 24 Marsit nuk është thjesht një vend, por një kapitull i gjallë i historisë sonë kombëtare. Ai përfaqëson qëndresën heroike të një familjeje që u bë simbol i sakrificës për atdheun ,familjes Haradinaj. Me guximin dhe vendosmërinë e saj, kjo familje i dha Kosovës dhe mbarë kombit një shembull të rrallë të dashurisë për liri dhe përkushtimit të palëkundur ndaj çështjes kombëtare.

Por kjo ditë mbart edhe dhimbjen e humbjeve të mëdha. Më 24 Mars ranë në altarin e lirisë tre luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ,Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj dhe Agron Mehmetaj ,emra që sot janë të gdhendur në historinë e lavdishme të kombit. Sakrifica e tyre është një kujtesë e përhershme e çmimit të lirisë.

Ngjarjet e asaj dite shënuan një nga momentet më të forta të qëndresës së armatosur shqiptare. Nën emblemën e UÇK-së dhe udhëheqjen e Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Gjeneralit Ramush Haradinaj, luftëtarët shqiptarë shkruan një histori trimërie që mbetet e rrallë në analet e historisë sonë.

24 Marsi ka edhe një domethënie të veçantë ndërkombëtare. Ai përkon me momentin kur bota demokratike u rreshtua në anën e drejtë të historisë, përmes ndërhyrjes së NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ndërhyrje i dha fund një periudhe të errët dhe hapi rrugën drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.

Në këtë përvjetor, një mesazh i fortë vlerësimi dhe mirënjohjeje erdhi edhe nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ai theksoi heroizmin dhe sakrificën e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke i cilësuar si themelet mbi të cilat qëndron sot shteti i Kosovës.
Në shenjë nderimi dhe respekti, Ramosaj vlerësoi gjithashtu disa personalitete me stemën “Deçani”, për kontributin e tyre në çështjen kombëtare dhe në ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

Nga Gllogjani i krenarisë dhe i sakrificës, mesazhi mbetet i qartë: liria nuk ishte dhuratë, por fryt i gjakut dhe përkushtimit të bijve dhe bijave më të mirë të këtij kombi.

Në këtë përvjetor, të gjithë përkulen me nderim para atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duke rikujtuar se historia e tyre është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja.

Nderim i përjetshëm 24 Marsit, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjes emblematike Haradinaj.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME