OPINION/ “Kampionati i Procesverbaleve”, aty ku pikët vlejnë më pak se nenet

Lufta mes verdhebluve dhe zyrave të ftohta të disiplinës po kthehet në një serial me episode javore, ku fundi është gjithmonë i njëjtë: gjobë, pezullim, paralajmërim. Këtë herë, sërish në qendër të vëmendjes është AF Elbasani, një skuadër që duket se po luan dy kampionate paralelisht: njërin në fushë dhe tjetrin në letër. Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk u tregua i kursyer as këtë javë.

Si gjithmonë, vendimet vijnë me një gjuhë burokratike të thatë, me nene, pika dhe referenca që tingëllojnë si kod penal, jo si rregullore sportive. Dhe ndërkohë, në Elbasan lind e njëjta pyetje: a po ndëshkohet skuadra për gabimet e saj, apo për faktin që guxon të ankohet?

Ironia është se kur verdheblutë reagojnë për gjykim të diskutueshëm, cilësohen si presion ndaj arbitrave. Kur heshtin, duket sikur pranojnë gjithçka. Kur fitojnë, “kanë fat”. Kur humbasin, “kanë probleme disipline”. Në këtë rreth vicioz, duket sikur çdo rrugë çon në të njëjtën zyrë, atë të dënimeve.

Por le të ndalemi pak te thelbi. Kur arbitrat bëhen protagonistë negativë, kur vendime të dyshimta ndikojnë drejtpërdrejt në renditje, në moralin e ekipit dhe madje në fatin e sezonit, ku duhet të drejtohet një klub? A ekziston një mekanizëm real ankimi, apo gjithçka mbyllet brenda të njëjtës strukturë që vendos dhe gjykon? Sepse nëse ankesa përfundon sërish në duart e atyre që dhanë dënimin, atëherë kemi një sistem që flet me veten.

Elbasani mund të ketë gabuar, sepse asnjë klub nuk është i shenjtë. Por ndjesia që krijohet është e një standardi të dyfishtë. Ka episode në kampionat ku tensionet shpërthejnë edhe në stadiume të tjera, por zhurma disiplinore dëgjohet më fort kur bëhet fjalë për verdheblutë. Rastësi? Ndoshta. Por kur rastësitë përsëriten, fillojnë të duken si model.

Në vend që të flasim për lojën, për investimet, për ringritjen e një emri historik, diskursi dominohet nga gjobat dhe pezullimet. Dhe kështu, sezoni rrezikon të mos vendoset nga forma sportive, por nga raportet e hartuara pas ndeshjeve. Në fund të fundit, tabela e klasifikimit nuk duhet të jetë produkt i procesverbaleve.

Ironia më e madhe është se futbolli shqiptar ka nevojë për rivalitet, për emocione, për klube me histori që sjellin tifozë në stadium. Ndërkohë, ajo që shohim është një përplasje e vazhdueshme mes një klubi që ndjen se po trajtohet padrejtësisht dhe një komisioni që duket i vendosur të tregojë autoritetin çdo javë.

Pyetja mbetet e hapur: nëse një klub mendon se po i rrezikohet sezoni nga vendime arbitrare – në kuptimin e plotë të fjalës – ku duhet të kërkojë drejtësi? Sepse nëse drejtësia sportive perceptohet si selektive, atëherë problemi nuk është më vetëm i Elbasanit. Është i gjithë kampionatit.

Deri atëherë, verdheblutë do të vazhhdojnë të luajnë. Në fushë për pikët. Jashtë saj për dinjitetin. Dhe çdo javë do të presin me ankth jo vetëm rezultatin e ndeshjes, por edhe faturën që mund të vijë më pas.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME