Intervistoi: Fatmir Popja
Z. Shahinaj, le ta nisim nga fillimi. Kush është Lulzim Shahinaj, përtej titujve dhe funksioneve?
Jam lindur më 27 shtator 1958 në Trebisht të Dibrës, në një familje me rrënjë të thella arsimore dhe atdhetare. Jam i biri i Mustafa Zeqir Shahinajt, nga një trung familjar që ka dhënë kontribut të çmuar në përhapjen e arsimit në Gollobordë, Dibër dhe më gjerë. Sot jetoj në Elbasan, jam i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Përtej CV-së, unë jam një njeri që beson fort se puna, ndershmëria dhe përkushtimi ndaj komunitetit janë pasaporta më e vlefshme e jetës.

Si ka qenë rruga juaj e arsimimit, duke ditur vështirësitë e kohës?
Nuk ka qenë aspak e lehtë. Kam mbaruar shkollën e mesme industriale “Kozma Naska” në Elbasan dhe më pas shërbimin ushtarak. Për shkak të rrethanave të padrejta të kohës, e drejta për të studiuar në universitet m’u miratua me vonesë, kur shpresat thuajse ishin shuar.
Megjithatë, në vitin 1989 u diplomova Inxhinier Mekanik, me notë mesatare shumë të mirë në Universitetin e Tiranës. Më vonë, falë një burse prestigjioze DAAD, përfundova edhe Masterin në Inxhinierinë e Tërmeteve dhe Sizmologji, në Shkup. Arsimi për mua ka qenë gjithmonë një betejë e fituar me durim.

Një kapitull i rëndësishëm është puna juaj në Kombinatin Metalurgjik Elbasan. Çfarë përfaqëson ajo periudhë?
Kombinati Metalurgjik ka qenë një “universitet jete”. Fillova si inxhinier dhe në moshë shumë të re, u emërova drejtor i Ndërmarrjes së Transportit, me rreth 650 punonjës, lokomotiva, vagona, autobuzë dhe makineri të rënda.
Shumë më thanë se ishte një detyrë e pamundur. Por për më shumë se 7 vite arritëm të rrisnim bilancin financiar, të përmirësonim shërbimin dhe të krijonim një kulturë bashkëpunimi me punonjësit. Ajo periudhë më formoi si drejtues dhe si njeri.

Më pas kaluat në sipërmarrje private. Si lindi marka “DEMISH”?
Pas ndryshimeve strukturore në Kombinat, u riktheva tek biznesi familjar i kafesë së pjekur “DEMISH”. Kjo markë vitin e ardhshëm feston 30-vjetorin.
Është një kafe që ka udhëtuar nga Elbasani në shumë qytete të Shqipërisë dhe deri tek emigrantët shqiptarë nëpër botë. Besimi i klientëve është aq i madh, sa nuk guxojmë të ndryshojmë as ambalazhin ,sepse ata porosisin duke pasur në dorë paketimin e vjetër. Ky është nderi më i madh për një sipërmarrës.

Në vitin 2003 ju riktheheni në shërbimin publik. Çfarë ju motivoi?
Ish-kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Ardjan Turku, më ftoi të kontribuoja në administratën vendore. Fillova si administrator i Njësisë Nr.5, më pas Drejtor i Shërbimeve Publike dhe Zv.Kryetar i Bashkisë.
Ishte një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Të jesh qytetari nr.2 i një bashkie me mbi 130 mijë banorë është privilegj dhe përgjegjësi e madhe . Aty mësova se pushteti ka kuptim vetëm kur shërben, pa dallime, me ndershmëri dhe përkushtim.

Si e vlerësoni detyrën që keni mbajtur në Këshillin e Qarkut Elbasan (2007–2016)?
Një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën time ka qenë edhe ajo e Drejtorit të Shërbimeve Rajonale, Emergjencave Civile dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm, ku u përballëm me sfida të mëdha infrastrukturore dhe emergjenca civile.
Kënaqësia më e madhe ka qenë zgjidhja e problemeve konkrete të qytetarëve dhe mirënjohja e tyre. Këto janë gjëra që nuk maten me poste.

Dashuria juaj për Trebishtin dhe Gollobordën duket se nuk ju ka braktisur kurrë…
Kurrë. Malli për vendlindjen ka qenë gjithmonë prezent. Jam angazhuar fort jo vetëm për të kontribuar për qytetin ku jetoj por edhe për vendlindjen dhe sidomos për tu ndërtuar rruga Librazhd–Urra e Çerenecit, si edhe për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Xhepisht–Trebisht, dhe për projekte që i japin jetë zonës së origjinës time.
Ndërsa në vitin 2018 restauruam shtëpinë 100-vjeçare të familjes Shahinaj, ndërtuar në 1918, duke e kthyer në muze familjar. Është një homazh për rrënjët tona.

Së fundi, investimet turistike po i japin zonës një tjetër frymë…
Po. Së bashku me miq e investitorë seriozë kemi kontribuar në begatimin e zonës duke ndërtuar resorte, bujtina dhe struktura pritëse si “Joen Village”, “Bujtina e Luleve”, “Trofta Borovë” e të tjera.
Besoj fort se infrastruktura ,turizmi dhe tradita garantojnë një zhvillim i qëndrueshëm.

Z. Shahinaj, sa e rëndësishme është rruga e asfaltuar Librazhd–Steblevë–Trebisht për zhvillimin e turizmit malor?
Kjo rrugë është çelësi i artë magjik i zhvillimit të zonës. Për dekada të tëra, Dibra e Golloborda kanë qenë të pasura në natyrë, klimë, traditë dhe mikpritje, por të izoluara nga mungesa e infrastrukturës.
Asfaltimi i kësaj rruge nuk është thjesht një investim rrugor, por një urë lidhësecekonomike dhe sociale që lidh Dibrën me Librazhdin, Elbasanin dhe më gjerë. Sot, një vizitor mund të vijë pa vështirësi, në çdo stinë të vitit.

Çfarë potencialesh turistike ofron kjo zonë tashmë e aksesueshme?
Potencialet janë të jashtëzakonshme. Flasim për:
• turizëm malor dhe natyror
• ecje alpine, hiking dhe biçikleta
• turizëm dimëror me borë të qëndrueshme
• agroturizëm dhe produkte bio
• turizëm kulturor e historik
Parku Kombëtar Shebenik ,zona e Trebishtit, Steblevës, Sebishtit, Borovës dhe gjithë aksi drejt Urës së Çerenecit është një thesar ende i paprekur, ideal për turistë vendas dhe të huaj që kërkojnë qetësi, natyrë dhe autenticitet.

A ka ndryshuar realisht fluksi i vizitorëve pas përmirësimit të infrastrukturës?
Po, ndryshimi është i prekshëm kudo . Vetëm vitet e fundit, sidomos pas përfundimit të segmenteve kryesore të asfaltuara, kemi një rritje të ndjeshme të vizitorëve fundjavave dhe gjatë sezonit veror e dimëror.
Shumë familje nga Elbasani, Tirana, Dibra dhe emigrantë që kthehen gjatë verës po e zgjedhin zonën për pushime, duke e kthyer turizmin në një burim real të ardhurash për banorët vendas.

Investimet private në bujtina dhe resorte sa kanë ndikuar në këtë proces?
Kanë qenë vendimtare. Investimet në struktura pritëse si bujtina, resorte dhe restorante tradicionale kanë krijuar zinxhirin e plotë të turizmit.Rruga komodo ,akomodimi me kushte ideale ,ushqim bio dhe përvoja unike e eksplorimit të kësaj zone janë kthyer në reklamë e jashtëzakonshme .
Kur vizitori gjen kushte dinjitoze, shërbim cilësor dhe mikpritje, ai kthehet sërish dhe bëhet promovuesi më i mirë i zonës.

Si e shihni rolin e komunitetit lokal në zhvillimin e turizmit?
Pa komunitetin vendas, turizmi nuk ka shpirt. Banorët janë pasuria më e madhe: gatimet tradicionale, bujqësia, blegtoria, kultura dhe historia lokale.
Roli i tyre është kyç, jo vetëm si përfitues ekonomikë, por si ruajtës të identitetit të zonës. Turizmi duhet të zhvillohet pa e deformuar natyrën dhe traditën.

A mendoni se kjo zonë mund të kthehet në një destinacion kombëtar turistik dhe jo vetëm ?
Absolutisht po. Dibër–Gollobordë -Librazhd kanë të gjitha elementët për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm të turizmit malor në Shqipëri.
Duhet një strategji e qartë ,promovim i përbashkët, mbështetje për sipërmarrësit lokalë, guida të certifikuara, sinjalistikë turistike dhe aktivitete sezonale. Rruga tashmë është aty ,tani duhet vizioni.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit investitorëve dhe të rinjve të zonës?
Të besojnë te mrekullitë e vendit të tyre. Sot, një investim në turizmin malor në këtë zonë është investim me kthim të sigurt, por mbi të gjitha është investim me vlerë shoqërore.
Të rinjtë nuk duhet të largohen patjetër ,ata mund të ndërtojnë të ardhmen këtu, aty ku natyra ka bërë gjysmën e punës.

Si e imagjinoni këtë zonë pas 10 vitesh?
E imagjinoj si një zonë të gjallë, me fshatra të rikthyer në jetë, bujtina funksionale gjatë gjithë vitit, rrugë të mirëmbajtura, turistë vendas e të huaj dhe ekonomi lokale në rritje.
Nëse punojmë sot me përgjegjësi, pas 10 vitesh kjo zonë do të flasë vetë për suksesin e saj.
Ju prej disa vitesh keni ndërtuar në fshatin turistik Fushë Studen një njësi mikpritëse tuajën, e cila sot është ndër më të frekuentuarat nga turistë vendas dhe të huaj. Si lindi kjo iniciativë dhe çfarë e bën atë të veçantë?
Kjo iniciativë lindi natyrshëm, nga dashuria për vendlindjen dhe bindja se zhvillimi fillon nga shembulli personal. Fushë Studen ka një bukuri të rrallë natyrore, klimë alpine dhe një qetësi që sot kërkohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj.
Njësia jonë e mikpritjes u ndërtua me respekt të plotë për natyrën dhe arkitekturën tradicionale të zonës, pa ndërhyrje agresive, duke ruajtur identitetin lokal dhe harmoninë me mjedisin.
Ajo që e bën të veçantë nuk është vetëm vendndodhja apo infrastruktura, por mikpritja familjare, gatimet tradicionale me produkte vendase dhe përvoja autentike që u ofrohet vizitorëve ,nga shëtitjet në natyrë, te kontakti i drejtpërdrejtë me jetën e fshatit dhe historinë e zonës.
Fakti që kjo njësi sot frekuentohet nga turistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të Bashkimit Europian është një tregues i qartë se turizmi malor i ndërtuar me kujdes, respekt dhe cilësi funksionon.

Për mua, kjo nuk është thjesht një biznes, por një kontribut konkret për rivitalizimin e zonës, një dëshmi se Fushë Studen dhe gjithë territori Dibër–Librazhd kanë potencial të jashtëzakonshëm për turizëm të qëndrueshëm.
Lulzim Shahinaj njihet jo vetëm si qytetar , prind dhe familjar dinjitoz, por edhe si një intelektual i respektuar gjerësisht për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në institucionet ku ka shërbyer. Si e përjetoni ju këtë vlerësim publik?
Çdo vlerësim i tillë më prek dhe më bën të reflektoj thellë. Unë e kam konsideruar gjithmonë punën time si detyrë dhe shërbim, jo si mjet për t’u dukur apo për t’u veçuar. Në çdo institucion ku kam punuar, jam përpjekur të kontribuoj me profesionalizëm, ndershmëri dhe respekt për ligjin dhe për njerëzit.
Nëse sot gëzoj respektin e bashkëpunëtorëve dhe të komunitetit, kjo është sepse puna ime ka qenë gjithmonë kolektive. Asnjë arritje nuk është vetëm personale ajo është fryt i bashkëpunimit me ekipe të përkushtuara dhe drejtues vizionarë, si dhe i mbështetjes së familjes sime.
E shoh këtë vlerësim si një detyrim moral për të vazhduar të jem korrekt, i matur dhe i përgjegjshëm, sidomos ndaj brezave të rinj. Në fund të ditës, ajo që mbetet nuk janë titujt, por sjellja, fjala dhe gjurma e mirë që lë pas tek njerëzit.

Këtë fundjavë jeni nderuar edhe me titullin “Ambasador për Paqe”. Çfarë përfaqëson për ju ky vlerësim?
Ky titull është një nder i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe. E kam pranuar me përulësi, sepse “Ambasador për Paqe” nuk është thjesht një nderim i madh , por një mesazh dhe një angazhim për të promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën në komunitet.
Gjatë gjithë rrugëtimit tim profesional, si në administratën publike ashtu edhe në jetën private, jam përpjekur të ndërtoj ura bashkëpunimi, të zgjidh probleme përmes dialogut dhe të shërbej me ndershmëri, pa ndasi dhe pa paragjykime. Ky vlerësim e shoh si një reflektim të kësaj filozofie jete.
Në një kohë kur shoqëria ka nevojë më shumë se kurrë për qetësi, solidaritet dhe respekt reciprok, ky titull më motivon të vazhdoj të kontribuoj, veçanërisht në nisma që nxisin paqen sociale, bashkëpunimin ndërkufitar dhe përfshirjen e të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.
Ky është një vlerësim që ia dedikoj familjes sime, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit nga i cili vij, sepse pa mbështetjen e tyre, asgjë nga kjo rrugë nuk do të ishte e mundur.

Një mesazh për brezat e rinj?
Asgjë nuk vjen lehtë. Por nëse punon me ndershmëri, mëson vazhdimisht dhe nuk harron kurrë nga vjen, rruga hapet.
Suksesi i vërtetë nuk është posti apo pasuria, por gjurmët e mira që lë pas në komunitet.

