Nga Adelina Pali
Ka histori që nuk mund t’i tregosh me zë të ulët. Ato duhen thënë fort, me zërin e një kraharori që mban brenda një frymë të pastër, të re. Historia e Xhoana Shehut është pikërisht e tillë – një rrugëtim që të mbush me admirim dhe të kujton se forca e vërtetë shpesh veshet me thjeshtësi.
E njoha tre vite më parë, në një auditor studentor. Ajo u shfaq aty si një dritë e butë, por e mprehtë, që binte në sy edhe në një skenë modeste. Kishte diçka në sjelljen dhe praninë e saj… sikur një copë qielli të ishte strehuar brenda një njeriu. Interpretimi i saj solli emocione të forta, pastaj duartrokitje, e më vonë përgëzime. Dhe unë, si pjesë e jurisë, kuptova menjëherë se përballë nuk kisha një studente të zakonshme, por një shpirt artistik që dinte të derdhej në formën më të pastër të artit. I dhamë vendin e parë, jo si “favor”, por si njohje të natyrshme të asaj që ajo ishte.
Më pas, jeta mori një kthesë tjetër. Në një moshë kur shumica e të rinjve 18–19 vjeç ende kërkojnë veten mes korridoreve të universiteteve, Xhoana gjeti dashurinë, gjeti njeriun e saj, dhe me të ndërtoi një shtëpi që kërkon zemër, guxim dhe maturi. Në pak vite ajo u bë nënë e dy fëmijëve – dy drita që i ndriçojnë përditshmërinë: një vajzë dy vjeç e gjysmë dhe një djalë tetëmuajsh.

Dhe pikërisht aty ku shumë të tjerë do të stepeshin, Xhoana bëri të kundërtën: u rikthye.
U rikthye tek universiteti.
U rikthye tek arti.
Tek ëndrra që nuk ia shiuan as martesa, as përgjegjësitë, as netët pa gjumë.
Këtë vit vendosa ta kërkoja sërish dhe ta ftoja në Festivalin Kombëtar Letrar “Nën dritën e fjalës”, për një mini-dramë me dy vajza të tjera. Edhe aty, Xhoana tregoi po të njëjtën forcë artistike që e karakterizon. Ajo udhëtonte nga Durrësi çdo dy ditë. Nganjëherë e lodhur, nganjëherë me sy që ende nuk kishin harruar natën… por gjithmonë e pranishme. Ndërsa provonte tekstet dhe i jepte jetë personazheve, bashkëshorti i saj priste jashtë me fëmijët – një mbrojtje e heshtur, një dashuri që ngjan me një tempull të vogël sa një makinë, por me brendi të madhe.

Ndoshta kjo është dashuria e vërtetë: një burrë që mban në prehër dy jetë të vogla, ndërsa gruaja ndjek ëndrrat e saj pa frikë se mos shuhet, sepse ai e ndihmon të shkëlqejë.
Pak para festivalit, studentët më ftuan sërish si juri dhe Xhoana, natyrisht, dominoi edhe një herë duke marrë vendin e parë. Vetëm tre ditë më parë, në UAMD, ajo u vlerësua me vendin e dytë. Ishte më shumë se një çmim: ishte prova se mundi i saj po lë gjurmë që nuk zhduken nga erërat e vështirësive.

Xhoana është një ese më vete.
Një ese mbi forcën femërore.
Mbi dashurinë që nuk të burgos, por të çliron.
Mbi rininë që nuk i trembet përgjegjësive.
Mbi ëndrrat që nuk presin “kohën e duhur”, sepse koha e duhur është ajo që krijon vetë.
Në një vend ku shpesh rinia gjykohet për hutim, dembelizëm apo mungesë vizioni, Xhoana është shembulli i kundërt: vetëm 22 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, studente e rregullt, artiste e përkushtuar dhe grua që nuk zgjedh mes familjes e ëndrrave – sepse i mban të dyja me forcën e një zemre që nuk dorëzohet.

Njerëz të tillë nuk duhet vetëm të përgëzohen – duhen marrë shembull.
Dhe unë, si dikush që ka parë rritjen e saj, mund të them me bindje:
Rinia shqiptare ka shpresë, sa kohë ka vajza si Xhoana.
Arti ka të ardhme, sa kohë ka zemra që rrahin si e saja.
Jeta ka bukuri, sa kohë ka njerëz që nuk pranojnë të thyhen nga vështirësitë.
Dhe dashuria… dashuria është e plotë, sa kohë ka burra që duan t’i shohin gratë e tyre të ndriçojnë.
Kjo është Xhoana.
Një forcë që nuk ka nevojë të bërtasë për t’u dëgjuar.
Një dritë që nuk ka nevojë për skenë për të shkëlqyer.
Një nënë, një artiste, një vajzë 22-vjeçare që mban mbi supe peshën që shumë nuk do ta mbanin dot as për vite.
Jam thellësisht krenare për punën, pasionin dhe përkushtimin e saj.
Të lumtë, Xhoana… vazhdo të shkëlqesh.




