Prurjet jashtëzakonisht të mëdha të rrjedhës së lumit Shkumbin kanë shkaktuar një situatë të rëndë emergjente në fshatin Xhyrë të Njësisë Administrative Hotolisht, në bashkinë Librazhd, ku prej mëngjesit të sotëm fshati është plotësisht i izoluar. Ura që lidhte Xhyrën me rrugën kombëtare është shembur pas dëmtimit të këmbës së saj qendrore, e cila ndodhej në mesin e shtratit të lumit.

Rrjedha e vrullshme e ujit, e rritur nga reshjet intensive dhe prurjet e pazakonta të ditëve të fundit, ka përmbysur strukturën mbajtëse, duke e bërë urën të papërdorshme dhe duke ndërprerë çdo lloj komunikimi të banorëve me zonat e tjera.
Pas shembjes së urës, fshati Xhyrë ka mbetur totalisht i bllokuar. Situata ka prekur rëndë edhe procesin arsimor, pasi nxënësit e shkollës 9-vjeçare kanë mbetur pa mësim. Mësuesit nuk kanë mundur të kalojnë drejt fshatit pikërisht për shkak të izolimit të plotë.

Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile po monitorojnë situatën, ndërsa pritet një ndërhyrje urgjente për të garantuar aksesin e banorëve dhe rikthimin e normalitetit.

