Balerini shqiptar Kledi Kadiu në ceremoninë e organizuar nga kryebashkiaku i Barit
BARI ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Në prag të 35-vjetorit të një prej ngjarjeve më të mëdha të historisë së emigrimit shqiptar, Bari rikthen në kujtesë 8 gushtin e vitit 1991, ditën kur mijëra shqiptarë u nisën drejt brigjeve italiane në kërkim të një jete më të mirë. Anija “Vlora”, me rreth 20 mijë njerëz në bord, u kthye në simbol të shpresës, por edhe të solidaritetit njerëzor që qyteti i Barit tregoi në ato ditë të vështira.
Kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese, ka kujtuar zbarkimin historik dhe pritjen që qytetarët e qytetit u bënë shqiptarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të jashtëzakonshme të humanizmit dhe mikpritjes.
Në ceremoninë përkujtimore të organizuar 35 vite pas mbërritjes së “Vlorës”, Leccese priti në Bashkinë e Barit balerinin shqiptar Kledi Kadiu, i cili ishte një nga pasagjerët e asaj anijeje dhe që më pas u bë një nga artistët më të njohur në Itali. Në shenjë simbolike, Kadiut iu dhurua një ulli prej qeramike, i realizuar nga artizanët vendas, si simbol i paqes dhe i lidhjes mes dy popujve.
Leccese kujtoi edhe pjesëmarrjen e tij dhe të Kadiut në dokumentarin “La nave dolce”, me regji të Daniele Vicarit. Sipas tij, titulli i filmit lidhet jo vetëm me faktin se anija “Vlora” transportonte sheqer, por edhe me “ëmbëlsinë” që sollën humanizmi dhe ndjenjat e mira të njerëzve në ato ditë.
Duke rikthyer momentet e vitit 1991, Leccese tha se zbarkimi ishte një sfidë e jashtëzakonshme për t’u menaxhuar, por Bari zgjodhi një rrugë tjetër nga ajo e një operacioni të thjeshtë policor për riatdhesimin e emigrantëve.
“Nën drejtimin e kryebashkiakut Enrico Dalfino, kërkuam që kjo situatë të trajtohej si një emergjencë e mbrojtjes civile”, u shpreh ai, duke kujtuar mobilizimin e gjithë qytetit. Mjekë që ndërprenë pushimet për të ndihmuar dhe qindra qytetarë që sollën ushqime e ndihma pranë stadiumit “Della Vittoria” ishin pjesë e një solidariteti që mbeti i gdhendur në kujtesën e Barit.
Kledi Kadiu: Krenar që isha pjesë e 20 mijë shqiptarëve të “Vlorës”
Kledi Kadiu e cilësoi mbërritjen në Bari si një moment historik dhe një ngjarje që vazhdon të ketë kuptim edhe sot.
“Jam krenar që isha një nga 20 mijë shqiptarët që mbërritën në Bari. Pavarësisht vështirësive dhe riatdhesimit, në fund ia dolëm. Këtë histori vazhdoj t’ua tregoj miqve, të afërmve dhe vajzës sime”, tha balerini shqiptar.
Ai e përshkroi atë udhëtim si një ngjarje epokale, duke theksuar se ëndrrat e njerëzve nuk mund të shuhen dhe se kërkimi për një jetë më të mirë mbetet një dëshirë universale. Duke krahasuar atë periudhë me ditët e sotme, Kadiu tha se bota ka ndryshuar, por sipas tij ka më pak solidaritet mes njerëzve.
“Ka më shumë individualizëm, secili mendon më shumë për veten dhe ka më pak gatishmëri për të ndihmuar njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Kadiu kujtoi edhe vitet e rinisë në Shqipëri, kur ai dhe bashkëmoshatarët e tij shikonin fshehurazi televizionin italian dhe ëndërronin skenat e mëdha të baletit e televizionit italian, me figura si Raffaele Paganini, Raffaella Carra dhe Heather Parisi. (LAJMI I MEDIAS ITALIANE)

