28 Nëntori bashkon Elbasanin, qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë festojnë Ditën e Pavarësisë

Nga ceremonia zyrtare para monumentit të Aqif Pashës, te atmosfera festive në Sheshin Gensher, qyteti i Elbasanit nderoi 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Mes të pranishmëve edhe deputeti i Kosovës, Burim Ramadani, i cili iu bashkua festimeve në këtë ditë të veçantë për shqiptarët.

ELBASAN ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Elbasani është përfshirë nga atmosfera festive e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Qindra qytetarë, familje, përfaqësues të institucioneve vendore dhe personalitete të ftuara u bënë pjesë e aktiviteteve përkujtimore dhe festimeve të organizuara në qytet, në nderim të një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Aktivitetet e kësaj dite nisën me ceremoninë zyrtare të organizuar para monumentit të Aqif Pashë Elbasanit, firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë, ku u zhvilluan homazhe dhe u përkujtua kontributi i patriotëve elbasanas në rrugëtimin drejt krijimit të shtetit shqiptar.

Në këtë ceremoni morën pjesë prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, përfaqësues të pushtetit vendor, nën kryetarja e Parlamentit Evis Kushi ,deputetë dhe qindra qytetarë. I pranishëm ishte gjithashtu Burim Ramadani, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili zgjodhi të festojë këtë ditë të shënuar së bashku me autoritetet dhe qytetarët e Elbasanit.

Gjatë fjalës së tij, prefekti Ilir Bejtja vlerësoi kontributin e patriotëve elbasanas në procesin e shpalljes së Pavarësisë, duke rikujtuar rolin historik të qytetit në këtë moment themelor të historisë shqiptare.

Një vend të veçantë në këtë kujtesë zë 25 Nëntori i vitit 1912, kur në Elbasan u ngrit flamuri kombëtar, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Ky akt dëshmon kontributin dhe angazhimin e patriotëve të qytetit në lëvizjen kombëtare dhe në përpjekjet për mëvetësinë e Shqipërisë.

Ndërkohë, Burim Ramadani ,Deputet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës gjatë një prononcimi për mediat  u shpreh i lumtur që ishte pjesë e ceremonisë zyrtare dhe festimeve të 28 Nëntorit në Elbasan. Prania e tij në këtë aktivitet përcolli edhe një mesazh të lidhjes dhe solidaritetit ndërmjet shqiptarëve, përtej kufijve shtetërorë, në një ditë që simbolizon historinë, identitetin dhe bashkimin kombëtar.

Festimet vijuan në Sheshin Gensher, ku atmosfera kuqezi mblodhi qytetarë të shumtë, prindër dhe fëmijë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputetët e qarkut, iu bashkuan qytetarëve në këtë festë, duke e kthyer sheshin në një hapësirë të përbashkët gëzimi dhe krenarie kombëtare.

Flamujt kuqezi, pjesëmarrja e familjeve dhe atmosfera festive krijuan një panoramë të veçantë në qytet, ku breza të ndryshëm u bashkuan për të nderuar simbolin tonë kombëtar dhe historinë e vendit.

28 Nëntori nuk është vetëm një datë kalendarike, por një ditë që mbart kujtesën e sakrificave, përpjekjeve dhe vendosmërisë së brezave për liri dhe pavarësi. Është dita që na kujton rrënjët, identitetin dhe përgjegjësinë për të ruajtur e përcjellë vlerat kombëtare te brezat e rinj.

Në këtë 114-vjetor të Pavarësisë, Elbasani dëshmoi edhe një herë se 28 Nëntori mbetet një festë që bashkon qytetarët, institucionet dhe shqiptarët kudo që ndodhen, rreth një simboli të vetëm: flamurit kuqezi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME