Tiranë, 15 shtator 2026 /Albania Express News/ – Mbi 120 Ambasadorë për Paqe, personalitete të fushave të ndryshme dhe të ftuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina u mblodhën në Ambasadën e Paqes në Tiranë, në një veprimtari të organizuar me rastin e 21-vjetorit të themelimit të Federatës së Paqes Universale (FPU) dhe në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Paqes.
Veprimtaria u organizua nga Federata e Paqes Universale – Shqipëri në bashkëpunim me Këshillin Rajonal të Paqes Tiranë, duke sjellë në fokus rëndësinë e promovimit të paqes, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve.

Përvjetori shërbeu si një moment reflektimi mbi rrugëtimin 21-vjeçar të Federatës së Paqes Universale, arritjet dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, por edhe mbi nevojën për një angazhim të vazhdueshëm në promovimin dhe zbatimin e parimeve të paqes, veçanërisht përballë sfidave dhe krizave globale.
Veprimtarinë e moderoi kryetari i Federatës së Paqes Universale – Shqipëri, Defrim Methasani, i cili në fjalën e hapjes vuri theksin te rëndësia e këtij aktiviteti si një moment që shënon edhe rinisjen e veprimtarisë së FPU-së pas periudhës së pushimeve verore.

Të pranishmit i përshëndeti Jacques Marion, President i Federatës së Paqes Universale për Evropën dhe Lindjen e Mesme dhe zv.president i FPU-së në nivel ndërkombëtar, i cili mori pjesë në aktivitet me ftesë të FPU Shqipëri.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe Dr. Astrit Memia, kryetar i Asamblesë së Federatës së Paqes Universale – Shqipëri. Në fjalën e tij, Memia rikujtoi rëndësinë e parimeve themelore të paqes, duke veçuar ndërvarësinë, prosperitetin reciprok dhe vlerat universale.
Atmosferës së aktivitetit iu shtuan edhe momente artistike. Të pranishmit ndoqën performancat e këngëtarit të njohur të këngës shkodrane, Bardh Spahja, si dhe të artistes së re Gabriela Berberi, 11-vjeçare dhe pjesëmarrëse në disa festivale mbarëkombëtare.

Gjatë ceremonisë u prezantuan gjithashtu disa prej veprimtarive dhe arritjeve të Federatës së Paqes Universale në nivel ndërkombëtar dhe në Shqipëri gjatë 21 viteve të aktivitetit të saj.
Një moment i veçantë ishte ceremonia e nderimit të 10 personaliteteve nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina, të cilëve iu akordua titulli “Ambasador për Paqe”, në vlerësim të kontributit të tyre.

Veprimtaria u zhvillua nën mesazhin se paqja kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe angazhim të përbashkët, duke përcjellë në fokus vlerat e dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
21 vite përkushtim për paqen – një rrugëtim që synon ta kthejë paqen nga një ideal në një përgjegjësi të përbashkët.


