LIBRAZHD,02 gusht 2026/Albania Express News/-Prej pesë ditësh, një zjarr i përmasave të mëdha vijon të djegë një pjesë të zonës pyjore të fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, ndërsa përpjekjet për vënien nën kontroll të flakëve po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit malor, erës së fortë dhe temperaturave të larta.
Dhjetëra forca të shërbimit zjarrfikës të Librazhdit , të mbështetura nga strukturat e emergjencave civile, janë angazhuar pa ndërprerje në terren për izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Megjithatë, kushtet atmosferike kanë favorizuar avancimin e flakëve në një sipërfaqe të gjerë me bimësi të thatë dhe pyje.
Terreni i thyer malor e bën të vështirë ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke detyruar ekipet të punojnë në shumë sektorë në këmbë për të frenuar përhapjen e zjarrit. Prioritet mbetet mbrojtja e sipërfaqeve pyjore dhe shmangia e rrezikut për përhapjen e flakëve jashtë zonës së vënë aktualisht nën kontroll .
Dardha e Librazhdit është një zonë e pasur me pyje dhe bimësi natyrore, ndaj dëmet mjedisore pas këtij zjarri pritet të jenë të konsiderueshme. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar. Fatmirësisht vatra e zjarrit është larg zonave të banuara dhe nuk bëhet fjalë për banesa të rrezikuara, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në terren.Zona ku vatrat e zjarrit janë aktive në të gjithë sipërfaqen e saj ka patur me mijëra m3 lëndë drusore të thatë të mbetur aty nga masakra e kryer vit pas viti nga shfrytëzuesit e paligjshëm të ekonomisë pyjore në dekadën e fundit.
Zona e Qarkut Elbasan ishte paralajmëruar disa ditë më parë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile si një nga rajonet me rrezik shumë të lartë për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve, për shkak të valës së të nxehtit dhe temperaturave ekstreme që kanë përfshirë vendin gjatë fundjavës.


