Zjarr në pyjet e ahut në malësinë e Prrenjasit, forcat zjarrfikëse luftë me flakët në terren të vështirë malor

PRRENJAS ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Një vatër zjarri e regjistruar në fshatin Shqiponjë të Bashkisë Prrenjas, në zonën e njohur si “Lukovë – Guri i Mekut”, ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje ahu, duke vënë në gatishmëri strukturat vendore të emergjencave civile dhe shërbimet zjarrfikëse.

Sipas njoftimit të Bashkisë Prrenjas, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) kanë qenë të angazhuar pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së djeshme në përballimin e flakëve, ndërsa edhe gjatë ditës së sotme kanë vijuar punën intensive për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.

Operacioni është zhvilluar në një terren tepër të vështirë malor, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse dhe ka bërë të domosdoshëm angazhimin e forcave në këmbë për të frenuar përhapjen e flakëve drejt sipërfaqeve të tjera pyjore.

Në këtë operacion kanë bashkëpunuar ngushtë ekipet e Bashkisë Prrenjas, Policia e Shtetit, shërbimi pyjor, si edhe banorët e zonës, të cilët kanë dhënë kontribut në përballimin e situatës dhe në mbështetjen e forcave në terren.

Fatmirësisht, nga kjo ngjarje nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa. Dëmet janë regjistruar vetëm në sipërfaqe pyjore me ah, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

Bashkia Prrenjas u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në pyje apo kullota.

Autoritetet rikujtojnë se çdo zjarrvënie e qëllimshme përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të njoftojnë menjëherë shërbimet përgjegjëse për çdo vatër zjarri të konstatuar, me qëllim ndërhyrjen sa më të shpejtë dhe minimizimin e dëmeve në mjedis.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Kufiri ” i Shqipërisë së Re

“BE nuk kërkon ndarjen e re territoriale”, Ditmir Bushati...

AF Elbasani përgatitet për testin e radhës, të enjten përballet me Partizanin në “Elbasan Arena”

ELBASAN ,04 gusht 2026/Albania Express News/-AF Elbasani vijon përgatitjet...