TIRANË ,10 shtator 2026 /Albania Express News/-Zonat e mbrojtura në Shqipëri vijuan të zgjerohen gjatë vitit 2025, duke arritur në 777 zona, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 625 551 hektarësh, ose 21,7% të territorit të vendit.
Sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, zonat e mbrojtura përfshijnë tashmë 36,1% të fondit pyjor dhe kullosor të Shqipërisë.
Pjesën më të madhe të territorit të mbrojtur e zënë Parqet Kombëtare, me 12 zona dhe një sipërfaqe prej rreth 314 mijë hektarësh. Kjo kategori përfaqëson 50,18% të sipërfaqes së përgjithshme të zonave të mbrojtura.
Në vendin e dytë renditen Rezervatet Natyrorë të Menaxhuar dhe Parqet Natyrore, me 28 zona dhe një sipërfaqe prej 217 815 hektarësh. Gjatë vitit 2025, kjo sipërfaqe u zgjerua me rreth 430 hektarë.
Rritje është regjistruar edhe në sipërfaqen e Peizazheve të Mbrojtura, nga 81 917 hektarë në vitin 2024 në 82 427 hektarë në vitin 2025.
Ndërkohë, fondi pyjor dhe kullosor vijoi të mbetet në rreth 1,73 milionë hektarë, ose 60,2% të sipërfaqes së përgjithshme të Shqipërisë. Pyjet përbëjnë rreth 1,15 milionë hektarë të këtij fondi, ndërsa kullotat dhe livadhet rreth 449 mijë hektarë.
Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve në vitin 2025 arriti në rreth 53 milionë metër kub, ku 93,9% i përket pyjeve publike dhe 6,1% pyjeve private.
Në Shqipëri numërohen gjithashtu 724 monumente natyrore, ndërsa dy zona klasifikohen si Zona të Burimeve të Menaxhuara. Aktualisht, vendi nuk ka zona të shpallura në kategorinë e Rezervateve Strikte Natyrore.
Të dhënat e INSTAT për pyjet dhe biodiversitetin bazohen në informacionin administrativ vjetor të institucioneve përgjegjëse për pyjet dhe zonat e mbrojtura.

