ELBASAN,11 maj 2026/Albania Express News/Një epokë e re duket se po nis për Kalanë e Elbasanit. Një nga thesaret më të rëndësishme historike dhe kulturore të qytetit pritet të marrë një pamje krejtësisht të re përmes një projekti ambicioz rivitalizimi, i cili synon ta kthejë zonën në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike dhe kulturore në vend.
Projekti u prezantua zyrtarisht nga arkitekti i njohur Emre Arolat në bashkëpunim me MVM Architecture, në një takim ku morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, si edhe bashkëdrejtuesit e AADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.
Ky ishte prezantimi i parë zyrtar i projekt-idesë, e cila synon t’i rikthejë Kalasë identitetin historik, vlerat arkeologjike dhe rëndësinë që ka pasur ndër shekuj në jetën qytetare të Elbasanit. Sipas vizionit të prezantuar, ndërhyrjet do të jenë të integruara dhe do të fokusohen në përmirësimin e hapësirave publike, restaurimin dhe rijetëzimin e zonës historike, si edhe zhvillimin e potencialit turistik të saj.
Synimi final është që Kalaja të mos mbetet vetëm një monument historie, por të shndërrohet në një qendër aktive kulture, arti, turizmi dhe zhvillimi ekonomik për qytetin. Projekti parashikon një qasje moderne, por duke ruajtur autenticitetin dhe trashëgiminë unike që mbart kjo zonë simbolike e Elbasanit.
Pas prezantimit të parë, pritet që projekti të kalojë në fazën e rakordimit institucional dhe procedurave përkatëse deri në miratimin përfundimtar. Financimi për hartimin e projektit po mbështetet nga AADF, e cila ka sjellë ekspertizë të njohur ndërkombëtare dhe shqiptare në fushën e arkitekturës dhe restaurimit urban.
Ky zhvillim konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për të ardhmen e Elbasan, duke hapur perspektiva të reja për turizmin, ekonominë lokale dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

