Zbardhen emrat e grupit kriminal të Jetmir Pepaj/ Trafikuan 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, miliona euro pasuri në sekuestro

Një operacion i gjerë i SPAK ka hedhur dritë mbi aktivitetin e një prej grupeve kriminale më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili dyshohet se ka trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian gjatë viteve 2019-2021.

Sipas hetimeve, grupi drejtohej nga Jetmir Pepaj dhe përbëhej nga të paktën 11 anëtarë, emrat e të cilëve tashmë janë zbardhur nga autoritetet. Mes tyre janë: Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku alias Anton Tamure, Florjan Vuka alias Vathaj, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola dhe Ilir Lazri.

Arrestime dhe hetime në vijim

Në kuadër të këtij operacioni, deri më tani janë arrestuar tre persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti kriminal: Lulzim Pepaj, Florian Marku dhe Anton Kola, ndërsa për anëtarët e tjerë vijojnë hetimet intensive.

8 episodet e trafikut – nga Peruja dhe Ekuadori drejt porteve europiane

SPAK ka dokumentuar të paktën 8 episode të trafikut të kokainës, ku grupi përdorte skema të sofistikuara për fshehjen dhe transportimin e lëndës narkotike. Droga transportohej kryesisht nga vende të Amerikës Latine si Peruja, Kolumbia dhe Ekuadori, drejt porteve kryesore europiane, veçanërisht në Holandë.

Ngarkesat fshiheshin në kontejnerë me produkte të ligjshme si lëngje frutash të ngrira, banane, konserva peshku apo rrush të thatë, duke synuar shmangien e kontrolleve doganore.

Ndër rastet më të rënda rezulton ai i qershorit 2020, ku u trafikuan rreth 2 ton kokainë nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit, si dhe një tjetër episod me mbi 1 ton drogë të ardhur nga Peruja. Në disa raste, autoritetet europiane kanë arritur të sekuestrojnë sasi të konsiderueshme të drogës, përfshirë mbi 1 ton kokainë në portin e Roterdamit dhe qindra kilogramë në operacione të tjera në territorin holandez.

12 milionë euro pasuri në sekuestro

Paralelisht me hetimet penale, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv të një numri të madh pasurish që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.

Në total, bëhet fjalë për rreth 12 milionë euro asete, të përbëra nga:

  • 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme
  • Dhjetëra kompani dhe kuota biznesi në Tiranë, Lezhë dhe zona të tjera
  • 60 prona, përfshirë apartamente, truall dhe hotele në qytete si Tiranë, Shëngjin, Sarandë dhe Himarë
  • 89 automjete të ndryshme
  • 72 llogari bankare

Mes subjekteve të sekuestruara përfshihen disa shoqëri tregtare aktive në fusha të ndryshme si ndërtimi, energjia dhe turizmi.

Bllokimi i aseteve dhe bashkëpunimi institucional

Më 15 prill 2026, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara kanë nisur procedurat për bllokimin e këtyre pasurive në regjistrat përkatës dhe në bankat e nivelit të dytë.

SPAK ka vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional si kyç në goditjen e këtij rrjeti kriminal, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës

Ky operacion konsiderohet si një nga goditjet më të forta ndaj trafikut të kokainës me origjinë nga Amerika Latine dhe me destinacion tregun europian, duke evidentuar nivelin e lartë të organizimit dhe shtrirjen ndërkombëtare të grupeve kriminale shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Gjyqi i themelit/ “Shqipëria e shqiptarëve”, ish-presidenti Meta shfaqet në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit

TIRANË,27 prill 2026/Albania Express News/Këtë të hënë mbahet seanca...

Thjeshtohen procedurat e check-in për bagazhet në Aeroportin e Tiranës

TIRANË, 27 prill 2026 /Albania Express News/ Në Aeroportin...

Avokati i Popullit: Zhbllokohen pagat e prapambetura për policët e burgjeve

TIRANË, 27 prill 2026/Albania Express News/ Avokati i Popullit...