Veliaj mbetet në burg, Rama: “Rast unikal në historinë e Europës demokratike”

TIRANË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e arrestit në burg ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama e ka cilësuar situatën e krijuar rreth kryebashkiakut të Tiranës si të paprecedentë, duke shprehur kritika për vijimin e qëndrimit të Veliajt në qeli dhe pasojat që, sipas tij, kjo situatë po sjell për kryeqytetin.

“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se vendimet e gjykatave duhet të respektohen, duke deklaruar se edhe vetë i është nënshtruar këtij parimi dhe se nuk i komenton vendimet gjyqësore përpara se ato të marrin formë të prerë.

Megjithatë, Rama vijon kritikën e tij duke e cilësuar situatën e Veliajt si një rast të pazakontë në Europën demokratike.

“Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli”, shprehet kryeministri.

Sipas Ramës, përtej aspektit juridik të çështjes, situata po krijon edhe një kosto të konsiderueshme për Tiranën dhe banorët e saj.

“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, përfundon Rama.

Vendimi i Gjykatës së Lartë për vijimin e masës së arrestit ndaj Veliajt vjen në një kohë kur çështja e statusit të tij si kryebashkiak dhe e ushtrimit të detyrës nga jashtë qelisë ka qenë në qendër të debatit juridik e politik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME