Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega në USA, nderon elitat e gazetarisë shqiptaro-amerikane në New York: një mbrëmje vlerësimi, kujtese dhe bashkimi kulturor

Në zemër të New Yorkut, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), dega në SHBA, organizoi këtë fundjavë një aktivitet të veçantë që u shndërrua në një festë dinjiteti për gazetarinë shqiptaro-amerikane dhe një moment reflektimi për rolin e saj historik në ruajtjen e identitetit kombëtar përtej Atlantikut.

Ngjarja mblodhi personalitete të spikatura të komunitetit shqiptaro-amerikan: gazetarë, shkrimtarë, përfaqësues të besimeve fetare, diplomatë nga Ambasada e Republikës së Kosovës, si dhe figura të angazhuara të jetës publike. Aktiviteti u çel me solemnitet, nën tingujt e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, një simbolikë e fortë e përkatësisë dhe bashkimit shpirtëror të shqiptarëve në diasporë.

Në një nga sallat e Kishës “Zoja e Shkodrës”, mikpritëse e këtij organizimi, u shfaq dokumentari “Dom”, realizuar nga regjisori Bujar Alimani, me skenar të gazetarit Dritan Haxhia. Filmi i kushtohet jetës dhe veprimtarisë së klerikut Dom Pjetri, një figurë e rëndësishme e komunitetit, duke sjellë për publikun një rrëfim emocional mbi përkushtimin, shërbesën dhe ndikimin e tij ndër breza. Dokumentari u prit me interes dhe emocione të dukshme, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të thellë shpirtëror dhe kulturor.

Kulmi i veprimtarisë erdhi me momentin e vlerësimeve, kur Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nderoi me certifikata mirënjohjeje disa nga emrat më të shquar të gazetarisë shqiptaro-amerikane, si: Frank Shkreli, Idriz Lamaj, Virgjil Kule dhe Gjek Gjonlekaj. Këta profesionistë, përmes punës së tyre ndër vite, kanë lënë gjurmë të rëndësishme në publicistikë dhe në mediat klasike, si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në atë amerikane, duke qenë zë i komunitetit dhe urë lidhëse mes kulturave.

Mbrëmja u moderua me profesionalizëm nga Kryetari i UGSH për SHBA, Dritan Haxhia, dhe Koordinatorja Elona Paja Biba. Një përshëndetje e veçantë erdhi nga Tirana nga drejtuesi i UGSH, gazetari Aleksandër Çipa, i cili theksoi rëndësinë e diasporës në pasurimin e gazetarisë shqiptare dhe në ruajtjen e standardeve profesionale.

Në fjalën e tij, Dr. Pasko Camaj, sekretar i organizatës panamerikane “Vatra”, përgëzoi drejtuesit për organizimin e një ngjarjeje kaq domethënëse, duke nënvizuar vlerën e gazetarisë së përgjegjshme për komunitetin shqiptar në Amerikë. I pranishëm ishte edhe kandidati për Kongresin amerikan, Diamant Hysenaj, një tjetër dëshmi e angazhimit dhe integrimit të shqiptarëve në jetën politike dhe shoqërore të SHBA-së.

Me surpriza të këndshme dhe një atmosferë miqësore, aktiviteti u mbyll me trokitjen e gotave të verës dhe me urimin që iniciativa të tilla të vijojnë, duke forcuar lidhjet profesionale, kulturore dhe njerëzore brenda komunitetit.

Ky organizim i UGSH, degës në SHBA, shënon një tjetër hap të rëndësishëm në misionin e unionit për të nderuar kontributin, për të ruajtur kujtesën dhe për të frymëzuar brezat e rinj të gazetarëve shqiptarë në diasporë.

UGSH – Dega USA

New York, 13.12.2025

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ministrat Salla e Malaj takojnë fermerët protestues: Shtohen subvencionet, kontrolle mbi produktet e importit

TIRANË, 7 prill/Albania Express News/ Ministri i Bujqësisë dhe...

Ministrat Hoxha-Pirdeni me studentët në Durrës: E pandalshme rruga e Shqipërisë drejt BE

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët...

Federata Ndërkombëtare e Paqes Universale informon se Dr. Hak Ja Han , zyrtarisht është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2026

Federata Ndërkombëtare e Paqes Universale (FPU) ka përshëndetur zyrtarisht...

Mungesa dhe pezullime, Flick me “dhimbje koke”, Atletico sfidon katalanasit

Gjithçka gati për një supersfidë në UEFA Champions League,...