Turp profesional: Kur emri i deputetes përdoret si karrem për klikime

Nga Vladimir Muçaj

FIER ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Nëse një ngjarje periferike në Roskovec nuk ka asnjë lidhje me deputeten Zeqine Caushi, përse emri i saj duhet të vendoset në krye të lajmit vetëm sepse personi i arrestuar pretendohet se është i afërmi i saj?

Kjo nuk është më thjesht çështje stili. Është çështje standardi profesional.

Raportimi i ngjarjeve të kronikës është detyrë themelore e medias. Por përmendja e çdo detaji, çdo lidhjeje familjare apo çdo emri të njohur nuk e bën automatikisht një lajm më të rëndësishëm. Përkundrazi, kur detaje të tilla përdoren pa një interes real publik, ato rrezikojnë të ulin standardin e raportimit dhe ta deformojnë vetë thelbin e lajmit.

Në rastin konkret, referuar komunikatës së Policisë, kemi një konflikt mes dy personave, arrestimin e njërit prej tyre dhe vijimin e procedurave ligjore. Ky është lajmi.

Megjithatë, në disa media lajmi është “pasuruar” me emrin e deputetes Zeqine Caushi, duke e lidhur personin e arrestuar me të përmes një marrëdhënieje familjare, si dajua i saj.

Ndërsa shkruaj këto radhë, personalisht nuk e kam verifikuar nëse kjo lidhje familjare është e saktë. Mund ta kisha bërë, por nuk e konsiderova të nevojshme për një arsye të thjeshtë: edhe sikur lidhja të jetë e vërtetë, çfarë përgjegjësie ka deputetja për veprimin e një të afërmi, nëse ajo nuk ka pasur asnjë rol në ngjarje?

Asnjë.

Do të ishte krejt ndryshe nëse deputetja do të ishte e përfshirë në ngjarje, do të kishte ndërhyrë pranë institucioneve ligjzbatuese apo do të kishte përdorur funksionin e saj publik në favor të të afërmit. Në një rast të tillë, emri i saj do të kishte padyshim interes publik dhe do të duhej të ishte pjesë e raportimit.

Por në mungesë të një lidhjeje të tillë, përdorimi i emrit të deputetes duket se shërben vetëm për një qëllim: ta bëjë lajmin më të klikueshëm.

Dhe pikërisht këtu media duhet të ndalet.

Nuk mund të përdorësh një funksionar publik si “karrem” sa herë që një i afërm i tij përfshihet në një konflikt personal. Sot mund të jetë dajua i një deputeteje; nesër kushëriri i një ministri, vëllai i një kryebashkiaku apo, pse jo, i afërmi i një gazetari.

Nëse kjo kthehet në standard, atëherë çdo kronikë mund të shndërrohet artificialisht në një lajm politik, mjafton të gjendet diku një lidhje familjare me një person të njohur.

Kjo nuk e forcon gazetarinë. E dobëson atë.

Sipas meje, përmendja e panevojshme e emrit të deputetes Zeqine Caushi në këtë rast përbën një shembull të keq të standardit profesional të medias.

Jo sepse politikanët duhen kursyer. Përkundrazi. Pushteti duhet kontrolluar, monitoruar dhe kritikuar fort. Por kritika ndaj pushtetit duhet të mbështetet mbi fakte, prova dhe përgjegjësi konkrete, jo mbi lidhje familjare të rastësishme.

Media nuk duhet të kërkojë politikanin brenda çdo lajmi.

Duhet të kërkojë të vërtetën brenda çdo lajmi.

Dhe kur emri i një deputeteje vendoset në titull për një ngjarje ku ajo nuk ka asnjë rol, vetëm për të tërhequr klikime, atëherë nuk është lajmi që është bërë më i madh.

Është standardi profesional që është bërë më i vogël.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Keqkuptimi me takimet e së premtes”, Lutfi Dervishi: Mos shkoni me hallet tuaja, dëgjoni hallet e qeverisë

TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Gazetari...

IEVP Elbasan nis vitin e ri shkollor 2026–2027, arsimi si mundësi për zhvillim dhe riintegrim

ELBASAN, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Në...

I mbijetoi Auschwitzit dhe jetoi 107 vjet, ndahet nga jeta i mbijetuari më i vjetër i Holokaustit në Izrael

TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Yehuda...

Liga e Kombeve/ Zbardhet axhenda e Kombëtares shqiptare, nga grumbullimi te ndeshjet

TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/- Në prag...