TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke iu referuar përplasjes publike të ditëve të fundit dhe duke theksuar se vendimmarrja për pagat i takon institucioneve përkatëse kushtetuese.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Rama shprehet se parlamenti nuk mund të zëvendësohet nga asnjë institucion tjetër dhe se asnjë pushtet nuk mund t’i diktojë legjislativit mënyrën apo momentin e votimit.
“Askush nuk e zëvendëson dot parlamentin dhe as nuk e urdhëron dot legjislativin se kur duhet ta ngrejë dorën. Vetëm Gjykata Kushtetuese, e askush tjetër, ka të drejtën dhe detyrën t’i thotë se kur e ka ngritur dorën gabim, po as ajo vetë nuk i thotë dot kurrsesi pushtetit të pavarur legjislativ se si duhet ta ngrejë dorën”, shkruan Rama.
Kryeministri argumenton më tej se politika e pagave propozohet nga qeveria, miratohet nga parlamenti dhe zbatohet nga ekzekutivi, ndërsa Gjykata Kushtetuese mund të ndërhyjë vetëm kur vlerëson se është cenuar një parim apo normë kushtetuese.
Sipas Ramës, në një situatë të tillë, ligjvënësit duhet të korrigjojnë çështjen në përputhje me vendimmarrjen kushtetuese, duke ruajtur pavarësinë e parlamentit dhe të drejtën e tij për të vendosur përmes votës.
Kryeministri shprehet gjithashtu i shqetësuar nga mundësia që shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdorin mjete politike dhe juridike të koordinuara për të kërkuar rritjen e pagave.
“Nëse largqoftë, shoqatat e prokurorëve e të gjykatësve kanë vendosur që me mjete politike dhe juridike të koordinuara me zyrat e prokurorive e të gjykatave si një ushtri e rreshtuar kundër qeverisë, të na imponohen me kallëzime, sigurime a përmbarime për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri”, shprehet Rama.
Ai thekson se qeveria nuk e konsideron çështjen si një konflikt personal apo politik, por si një çështje që lidhet me mënyrën e funksionimit të shtetit dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Rama rikujton gjithashtu se tryeza e dialogut me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë vijon të jetë e gatshme, pavarësisht tensioneve publike.
“Tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar dhe të anuluar vazhdon të jetë gati. Në 17 shtator mbaron vetëm ky episod i tensionuar publikisht, që mund dhe duhet të ishte shmangur, por nuk shteron nevoja për të komunikuar mes pushteteve të pavarura”, shkruan kryeministri.
Në përfundim, Rama nënvizon se dialogu mes pushteteve do të jetë i nevojshëm edhe përtej debatit aktual për pagat, veçanërisht në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Por ne tryezën dhe gatishmërinë kemi, të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve:-)”, përfundon reagimin e tij Edi Rama.

