ELBASAN,29 prill 2026/Albania Express News/Pas një paraqitjeje mbresëlënëse dhe një dominimi të padiskutueshëm në edicionin e 6-të të Turneut Universitar, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit ka vulosur pozicionin e tij si një nga institucionet lider në sportin universitar në Shqipëri. Ky sukses u kurorëzua me një takim zyrtar në ambientet e universitetit, ku Rektorja, Elvira Fetahu, priti Presidentin e Federata Shqiptare e Sportit Universitar, Besnik Veliu, si dhe studentët sportistë që i dhanë këtij institucioni një tjetër arsye krenarie.
Takimi u zhvillua në një atmosferë vlerësimi dhe reflektimi mbi arritjet e jashtëzakonshme të studentëve dhe trajnerëve, të cilët, përmes përkushtimit dhe disiplinës, arritën të ngjiten në majën e sportit universitar mbarëkombëtar. Triumfi në disiplinën e futsallit, ku ekipi i universitetit u shpall kampion, si dhe performanca cilësore në basketboll, u evidentuan si dëshmi konkrete të një pune të organizuar dhe një vizioni të qartë për zhvillimin e sportit në jetën studentore.
Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Veliu shprehu vlerësimin maksimal për nivelin konkurrues dhe frymën sportive që karakterizon studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani “të Elbasanit. Ai theksoi se ky sukses nuk është rastësi, por rezultat i një angazhimi të vazhdueshëm institucional dhe i një kulture sportive që po konsolidohet çdo vit e më shumë në radhët e të rinjve.
Nga ana e saj, Rektorja Fetahu vuri në dukje se ky triumf është një tregues i qartë i harmonizimit mes zhvillimit akademik dhe atij fizik, duke e konsideruar sportin si një komponent thelbësor të formimit të plotë të studentit. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të universitetit për nisma që promovojnë aktivitetin fizik, frymën e garës së ndershme dhe përfshirjen e gjerë të studentëve në aktivitete sportive.
“Ky sukses është fryt i një pune të përbashkët, i sakrificës dhe i pasionit të studentëve tanë, por edhe i përkushtimit të trajnerëve dhe stafit mbështetës. Ne do të vijojmë të investojmë në krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e sportit universitar,” u shpreh ajo.
Ky triumf shkon përtej një rezultati sportiv ,ai përfaqëson një histori suksesi që frymëzon, një model bashkëpunimi dhe një dëshmi se universitetet shqiptare po shndërrohen gjithnjë e më shumë në qendra të zhvillimit të gjithanshëm të të rinjve.
Me këtë arritje, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit jo vetëm që forcon reputacionin e tij në arenën akademike, por edhe konfirmon rolin e tij si një promotor i vlerave sportive, duke i dhënë një dimension të ri jetës studentore dhe duke ndërtuar ura të forta drejt së ardhmes.


