Trajneri i AF Elbasani ,Ivan Gvozdenoviç “shpërthen” pas humbjes me Tiranën: “Mbrojtja ishte në gjumë, mendjen e kishim te festa!”

ELBASAN,10 maj 2026/Albania Express News/Humbja 1-3 ndaj Tiranës në “Elbasan Arena” ka lënë shije shumë të hidhur te kampi verdheblu. Jo vetëm për faktin se AF Elbasani dorëzoi kreun në javën e fundit të sezonit të rregullt, por edhe sepse skuadra humbi një bonus të rëndësishëm financiar, që do të vinte me vendin e parë para “Final Four”.

Pas sfidës, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shfaq tepër i tensionuar dhe i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit të tij, sidomos në repartin defensiv, duke pranuar se euforia e sigurimit të Europës pas 20 vitesh ka ndikuar negativisht te skuadra.

Tekniku serb nuk i kurseu kritikat, duke deklaruar se lojtarët “ishin në gjumë” dhe se për disa javë mendja kishte qenë më shumë te festa sesa te ndeshjet.

“Jam shumë i mërzitur! Pësuam gola shumë shpejt, si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën dhe kjo na prishi gjithçka që kishim planifikuar. Nuk ishim gati për luftë sportive. Kur kemi qenë fanatikë në mbrojtje kemi marrë rezultate, por në këto ndeshje kemi qenë në gjumë total”, deklaroi Gvozdenoviç.

Trajneri pranoi hapur se sigurimi i pjesëmarrjes në Europë ka sjellë një lloj vetëkënaqësie në grup, diçka që sipas tij tani duhet korrigjuar urgjentisht para ndeshjeve vendimtare të “Final Four”.

“Para disa javësh siguruam Europën dhe na kapi euforia. Ishim me mendjen te festa dhe jo te fusha. Ky ishte gabimi ynë si staf dhe si ekip. Problemi tani është psikologjik, por kemi disa ditë kohë për të reaguar. Besoj shumë te çunat dhe jam i bindur që do të ndryshojmë”, u shpreh ai.

Në analizën e sfidës, Gvozdenoviç shpjegoi edhe lëvizjet ofensive që bëri gjatë lojës, duke tentuar të kthente rezultatin me një Elbasan ultra-sulmues.

“E largova Lilën për të futur Diallon dhe për të fituar më shumë forcë në sulm. Kishim në fushë shumë lojtarë ofensivë si Ze Gomes dhe Boye, sepse donim presion dhe krosime të vazhdueshme. Kur shënuam golin e parë u rikthyem në lojë, por mungesa e përqendrimit në mbrojtje na ndëshkoi sërish”, tha trajneri verdheblu.

Humbja ndaj bardhebluve nuk solli vetëm goditje morale, por edhe pasoja ekonomike për klubin. AF Elbasani humbi mundësinë për të mbyllur kampionatin në krye dhe për të përfituar bonusin financiar që shoqëronte vendin e parë.

“Jemi të gjithë të zhgënjyer, edhe ne, edhe presidenti. Është një minus financiar që dhemb, por tani gjithçka nis nga zero në ‘Final Four’. Kjo skuadër do të reagojë dhe do të rikthehet më e fortë”, përfundoi Gvozdenoviç.

Pavarësisht kësaj humbjeje të rëndë, sezoni i AF Elbasanit mbetet historik. Një ekip i krijuar vetëm në vitin 2021 ka arritur të sigurojë Europën dhe të rivalizojë deri në fund për kreun e Superiores, ndërsa tani synon të mbyllë ëndrrën me një tjetër surprizë në “Final Four”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kushtet e këqija atmosferike bllokojnë sërish aksin Librazhd–Përrenjas, qindra automjete në pritje

LIBRAZHD,16 maj 2026/Albania Express News/Kushtet e këqija atmosferike bllokojnë...

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...