Tjetër aksident i rëndë në aksin Librazhd–Qafë Thanë, kamioni del nga rruga dhe rrokulliset në kthesat e Qafë-Thanës

PRRENJAS ,24 qershor 2026/Albania Express News New/-Një tjetër aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë, duke rritur shqetësimet për sigurinë në këtë segment rrugor, i njohur për kthesat e shumta dhe qarkullimin e dendur të mjeteve të tonazhit të rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:45, në zonën e njohur si “Kthesat e Qafë-Thanës”, një kamion i tonazhit të rëndë ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës, duke u rrokullisur disa metra në anë të saj. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e emergjencës dhe forcat e policisë për të menaxhuar situatën dhe për të kryer veprimet procedurale.

Deri në këto momente nuk ka ende informacion zyrtar mbi gjendjen e drejtuesit të mjetit apo nëse ka persona të tjerë të lënduar si pasojë e aksidentit. Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në daljen e kamionit nga rruga.

Ky është aksidenti i dytë i rëndë i regjistruar brenda pak orësh në të njëjtin aks rrugor. Më herët gjatë pasdites, në zonën e “Kthesave të Dragostunjës”, një tjetër kamion u përmbys, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe angazhim të forcave të policisë dhe shërbimeve të emergjencës.

Frekuentimi i lartë i kësaj rruge nga mjetet e transportit ndërkombëtar, i kombinuar me terrenin e vështirë dhe kthesat e forta, vijon ta bëjë aksin Librazhd–Qafë Thanë një nga segmentet më problematike për qarkullimin rrugor në vend.

Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje lidhur me ngjarjen dhe pasojat e saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME