Kampi stërvitor i organizuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës për grupmoshat e reja po vazhdon me ritëm të lartë tash e tre ditë, duke mbledhur së bashku talentet më premtuese të hendbollit nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora.
Në këtë kamp janë ftuar edhe hendbollistë të rinj nga Shqipëria, ndërsa gjatë ditës së sotme grupit iu bashkua edhe talenti që vjen nga Franca, Milo Roux. Me origjinë nga Vlora, Roux është duke përfunduar procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare dhe ka shprehur dëshirën e madhe për të përfaqësuar Kombëtaren Shqiptare të Hendbollit.

Roux është një nga talentet që, së bashku me lojtarët e rinj shqiptarë që aktivizohen në Francë, Norvegji, Danimarkë, Itali, Gjermani dhe Greqi, pritet të jenë pjesë e së ardhmes së hendbollit shqiptar dhe të përfaqësojnë me sukses ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Ky kamp po dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit mes Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe hendbollit shqiptar, duke krijuar mundësi për zhvillimin e brezit të ri dhe afrimin e talenteve shqiptare që luajnë në klubet më të mira evropiane.

Një vlerësim i veçantë shkon për organizatorët e kampit, Presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Muhamet Arifi, për mikpritjen, organizimin e shkëlqyer dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj ekipit shqiptar.

