Zëvendëskryetarja e delegacionit shqiptar në Komitetin e Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi rëndësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se e ardhmja e vendit është në BE, por mënyra se si duhet të zhvillohet procesi ka nevojë për përmirësim.
Gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian që nisi punimet sot në Tiranë, ajo shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës dhe përfshirjes së opozitës, duke theksuar se, ndërsa në letër Shqipëria ka hapur kapituj, në realitet procesi ka mungesë të diskutimit të gjerë dhe të gjithpërfshirjes, duke lënë jashtë Parlamentin, shoqërinë civile, biznesin dhe grupet e interesit.
“Sot Shqipëria ndodhet përballë një procesi që fatkeqësisht është i mbyllur, ka shumë pak përfshirje, shumë pak diskutime e debat, ku as deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, as shoqëria civile, as gupet e interesit, as biznesi nuk janë pjesë të dialogut. Rruga europiane është mbështjellë me një sekret, ku vetëm disa zyrtarë të qeverisë shkojnë bëjnë prezantime në Bruksel, ndërkohë që debati i vërtet për reformat e nevojshme që duhen zbatuar me gjithpërfshirje dhe Parlamenti që duhet të jetë pjesë e saj, sot po i mungon”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, integrimi nuk është statistikë dhe nuk mund të reduktohet në hapjen e kapitujve, por duhet të reflektojë ndryshime të prekshme dhe reforma reale që ndikojnë në jetën e qytetarëve.
Tabaku kritikoi mënyrën se si po funksionon Parlamenti, duke kujtuar se vetëm një ditë më parë në dy muajt e fundit është zhvilluar një seancë normale, ndërkohë që gjatë gjithë periudhave të tjera mazhoranca ka kufizuar hapësirën e opozitës, duke refuzuar kërkesat për debate parlamentare dhe seanca interpelance.
Ajo shtoi se përfshirja e opozitës duhet të ndodhë edhe në praktikë dhe jo vetëm në deklarata.
Parlamentarët, sipas Tabakut, duhet të jenë pjesë aktive e çdo procesi reformues, dhe çdo ligj i miratuar pa konsultim të gjerë dhe pa llogaridhënie mbetet thjesht një dokument i zbrazët.
Tabaku u ndal dhe te sfidat ekonomike të vendit, duke nënvizuar se modeli aktual është i fokusuar kryesisht në ndërtimin, pa stimuluar zhvillim gjithëpërfshirës.
Ajo theksoi gjithashtu se vërehen shkelje të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në disa raste konkrete, siç janë Aeroporti i Vlorës dhe Porti i Durrësit, dhe shtoi se disa ligje të miratuara nuk përputhen me frymën dhe gërmën e legjislacionit evropian, teksa përmendi këtu ligjin “Për investimet strategjike”, “Paketën e Maleve”, po atë “Për menaxhimin e mbetjeve”.
Sipas Tabës, integrimi i suksesshëm kërkon përgatitje dhe pjesëmarrje aktive të Parlamentit, si dhe përfshirje të të gjithë aktorëve, përfshirë biznesin, shoqërinë civile dhe mediat.
Ajo nënvizoi se opozita nuk e ka vendosur kurrë në pikëpyetje integrimin dhe vazhdon të kontribuojë për ta mbajtur atë si një mision kombëtar, duke kërkuar që Shqipëria të bëhet europiane jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime, duke garantuar ligjshmëri, llogaridhënie, autonomi lokale dhe mbrojtjen e të drejtave të pronës.
“Sot Shqipëria ndodhet mes një udhëkryqi që është i rëndësishëm për të përcaktuar rrugën tone të ardhshme, midis realitetit dhe asaj që shkruhet në raporte. PD dhe opozita nuk e ka vendosur ndonjëherë integrimin në pikëpyetje. E ka mbrojtur si mision kombëtar, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm duke kontribuar aktivisht në këtë proces, sepse për ne, integrimi nuk është premtim elektoral, por obligim edhe ndaj parimeve të demokracisë, parimeve për mundësi të barabarta dhe parimeve për drejtësi”, u shpreh ajo.
Por shtoi, Tabaku, duhet të kuptojmë që rruga e Shqipërisë për në BE kalon së pari nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sipas saj, raporti i OSBE-ODIHR nuk i klasifikoi të tilla.
“Opozita është këtu për të qenë pjesë e këtij procesi. Dhe do të vazhdojë të jetë për të folur dhe për të punuar me forcën e argumentit, por nga ana tjetër edhe me besimin se Shqipëria mund të jetë europiane, jo vetëm në fjalë por edhe në vepra e në çdo reformë që Parlamenti do të ndërmarrë”, deklaroi Tabaku.
Tabaku deklaroi se çdo reformë parlamentare duhet të ndërtohet mbi bazën e dialogut gjithëpërfshirës dhe jo e njëanshme, dhe se integrimi i vërtetë kërkon ligje dhe politika që reflektojnë përfshirjen e qytetarëve dhe transparencën, si dhe respektimin e standardeve të BE-së në çdo hap të procesit.

