TIRANË ,12 shtator 2026 /Albania Express News/-Deputetja e Partisë Demokratike, njëherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, deklaroi sot se në ekonomi është krijuar një sistem i përqendruar vendimmarrjeje dhe me mungesë transparence.
Përmes një videomesazhi, Tabaku u shpreh se e gjitha kjo ndikon në faturat që paguajnë qytetarët në fund të muajit, me çmimin e ushqimeve, me librat e shkollës së fëmijëve, me pagën, me taksat që paguajnë e shërbimet që nuk marrin”.
Sipas saj, në hartën ekonomike të vendit janë krijuar struktura që “formojnë një arqipelag të tërë paligjshmërie”.
Ajo përmendi si raste si kompania KAYO-n, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe Korporata Shqiptare e Investimeve.
“Emrat mund të ndryshojnë, fushat mund të ndryshojnë, po modeli mbetet i njëjtë. Paratë janë publike, pasuritë janë publike, rreziku është publik, ndërkohë që vendimmarrja përqendrohet në pak duar dhe kontrolli dobësohet. Ky është thelbi i problemit. Kjo është pikërisht ajo ekonomi e pakicës, faturën e të cilës e paguan shumica e qytetarëve”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, ky sistem është ndërtuar gradualisht gjatë 14 viteve të fundit, duke nisur nga tenderat, koncesionet dhe partneritetet publiko-private, për të vijuar me sektorë si shëndetësia, energjia, trajtimi i mbetjeve dhe infrastruktura.
“U krijua ideja që nuk mjafton të kesh ofertën më të mirë, por duhet të jesh pranë pushtetit. Sipërmarrësi i ndershëm filloi të kuptonte se puna, ideja, investimi nuk mjaftojnë. Rezultati vendoset vetëm nga lidhja politike”, tha ajo.
Duke iu referuar KAYO-s, Tabaku ngriti pyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve privatë, zhvillimin e garave, vlerësimin e kostove dhe konfliktet e mundshme të interesit.
“Këto pyetje nuk e dëmtojnë sigurinë kombëtare. Këto e mbrojnë atë. Sekreti shtetëror nuk mund të kthehet në sekret financiar. Siguria nuk përdoret dot si perde për të fshehur mënyrën se si shpenzohen paratë”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një Bankë Zhvillimi, por duhet kontroll dhe mbikëqyrje e pavarur mbi mënyrën se si përdoren fondet dhe përzgjidhen përfituesit.
“Një Bankë Zhvillimi mund të jetë motor për sipërmarrjen, por nga ana tjetër kthehet edhe në mjet për klientët politikë. Mund të financojë fermerin që prodhon, po mund të financojë dhe mikun që telefonon, biznesin me ide apo biznesin që ka lidhje. Prandaj këtu duhet patjetër transparenca. Zhvillimi nuk ka frikë nga transparenca, vetëm favori ka frikë prej saj”, deklaroi ajo.
Për sa i përket Korporatës Shqiptare të Investimeve, Tabaku kritikoi mënyrën e administrimit të aseteve publike, duke kërkuar transparencë për tokat, godinat dhe pronat shtetërore me vlerë të konsiderueshme.
“Sa më e madhe vlera, aq më e vogël transparenca”, tha ajo, duke iu referuar edhe gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit që, sipas saj, kërkojnë përgjigje mbi mënyrën e administrimit dhe përdorimit të këtyre aseteve.
Tabaku u ndal edhe te projekti “Durana” dhe lehtësitë fiskale, duke argumentuar se ato duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për subjektet ekonomike.
“Kur marrin privilegje fiskale disa kompani në dëm të të tjerave, shkatërrohet tregu”, tha ajo.
Në vijim, Tabaku paraqiti disa propozime, mes tyre publikimin e kontratave dhe partneriteteve, vlerësimin ekonomik të pasurive publike, raportimin në Kuvend, auditimin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe heqjen e përjashtimeve nga gara.
“Së pari këto kontrata, partneritete, transformim pasurie publike duhet patjetër të jenë publike, duhet patjetër të ketë një vlerësim ekonomik, një mënyrë transparente për zgjedhje të klientëve. Së dyti, duhet patjetër raportim në Kuvend. Çdo gjë duhet të kalojë në buxhet. Nuk mund të kem ishuj të tillë. Së treti, një auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i çdo kompanie me persona të përgjegjës, afatet përgjegjëse”, shtoi ajo.
Po ashtu, Tabaku u shpreh se përjashtimet nga gara duhet të hiqen të gjitha.
“Shteti duhet të jetë një arbitër i paanshëm i tregut, jo një lojtar që vendos rregullat dhe nxjerr nga tregu kompanitë”, u shpreh ajo.
Tabaku e lidhi korrupsionin me ndikimin e drejtpërdrejtë në ekonominë familjare.
“Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Korrupsioni është një taksë e fshehtë mbi çdo familje. E paguajmë te çmimi i karburantit, te shërbimi i munguar”, deklaroi ajo.
Në përfundim, Tabaku tha se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për ndryshimin e emrave në institucione, por për ndryshimin e rregullave.
“Shqipëria sot ka nevojë që t’i japë fund këtij sistemi. Jo për të ndërruar emrat mbi zyra, por për të ndryshuar rregullat. Shqiptarët meritojnë një shtet që jep llogari, një ekonomi që e shpërblen punën, një qeveri që i ruan paratë dhe pronën publike si amanetin më të shenjtë”, përfundoi Tabaku.

