Sterjo Spasse, 112 vite nga lindja: Gollomboci rikthen në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e shkrimtarit të madh të Prespës

PUSTEC -GOLLOMBOC ,15 gusht 2026/Albania Express News/-Gollomboc u bë këtë herë një pikëtakim i letërsisë, kulturës dhe kujtesës, në një mbrëmje të veçantë letrare kushtuar 112-vjetorit të lindjes së Sterjo Spasse, një prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare dhe një figurë që lidhet ngushtë me identitetin kulturor të Prespës.

Aktiviteti mblodhi personalitete të kulturës, shkrimtarë, studiues dhe artdashës të zonës, të cilët sollën përmes diskutimeve dhe analizave të tyre këndvështrime mbi jetën, krijimtarinë dhe kontributin e Sterjo Spasses në letërsinë shqiptare.

Një vlerësim i veçantë iu kushtua edhe pranisë dhe mbështetjes së Kryetarit të Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuci, ndërsa në aktivitet mori pjesë edhe Klubi i Shkrimtarëve “Bota e Re”.

Përmes kësaj mbrëmjeje, kujtimi i Spasses nuk mbeti vetëm një përkujtim i një figure të së kaluarës, por u shndërrua në një takim të gjallë me veprën e tij dhe me trashëgiminë letrare e kulturore që ai ka lënë pas.

Bashkia Pustec, në vlerësimin e saj për aktivitetin, thekson se Sterjo Spasse është pjesë e pandarë e identitetit kulturor të Prespës dhe se përvjetori i lindjes së tij synohet të kthehet në një traditë të përvitshme në Gollomboc.

“Dita e lindjes së tij do të jetë çdo vit një ditë takimi me letërsinë dhe kulturën”, bëhet e ditur në faqen zyrtare të Bashkisë Pustec, me synimin që ky përkujtim të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme.

Në këtë mënyrë, Gollomboci synon të mbajë gjallë lidhjen me një prej bijve më të shquar të Prespës, duke krijuar një hapësirë ku brezat e rinj mund të njihen me veprën dhe kontributin e tij.

“Do të takohemi sërish, çdo vit, në gjurmët e Spasses, për të rizbuluar veprën e tij, për ta mbajtur gjallë kujtesën dhe për t’ua përcjellë atë brezave të rinj”, shprehet Bashkia Pustec.

Mbrëmja letrare në Gollomboc vjen kështu si një tjetër dëshmi se figura e Sterjo Spasses vazhdon të mbetet e gjallë në kujtesën kulturore të Prespës dhe të letërsisë shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME