ELBASAN, 16 shtator 2026 /Albania Express News/ – Elbasani po përgatitet për të pritur një prej aktiviteteve më të rëndësishme të futbollit europian për moshat, UEFA EURO U-21 2027, duke synuar të jetë një qytet mikpritës për sportistët, tifozët dhe vizitorët që do të mbërrijnë gjatë turneut.
Në kuadër të përgatitjeve për këtë aktivitet, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka pritur në qytet Guillaume Poisson, Shef i Operacioneve në Divizionin e Operacioneve të Turneve të UEFA-s, si dhe Evia Kumria, zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit e angazhuar në organizimin e UEFA EURO U-21 2027.

Gjatë takimit dhe vizitës në Elbasan është vlerësuar gatishmëria e qytetit për të përballuar kërkesat që sjell organizimi i një eventi të përmasave europiane. Në fokus janë stadiumi “Elbasan Arena”, infrastruktura sportive, kapacitetet pritëse dhe kushtet që qyteti ofron për tifozët dhe delegacionet pjesëmarrëse.
Bashkia Elbasan ka deklaruar se infrastruktura e qytetit është në dispozicion të këtij organizimi, ndërsa bashkëpunimi me FSHF-në dhe UEFA-n synon garantimin e standardeve të kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve dhe pritjen e vizitorëve.

Për Elbasanin, organizimi i ndeshjeve të UEFA EURO U-21 2027 përbën gjithashtu një mundësi për të rritur ekspozimin ndërkombëtar të qytetit dhe për të promovuar potencialin e tij në fushën e sportit, turizmit dhe mikpritjes.
“Elbasan Arena”, një prej impianteve kryesore të futbollit në vend, pritet të jetë një nga pikat qendrore të aktivitetit, duke e rikthyer qytetin në vëmendjen e futbollit “Elbasani është gati të mirëpresë Europën”, është mesazhi i përcjellë nga Bashkia, e cila synon që qyteti të ofrojë një pritje dinjitoze dhe një eksperiencë pozitive për sportistët, tifozët dhe të gjithë të pranishmit.
UEFA EURO U-21 2027 do të jetë një tjetër ngjarje e rëndësishme sportive për Shqipërinë dhe një mundësi që Elbasani të konsolidojë më tej profilin e tij si qytet i sportit dhe i mikpritjes.


