SPORT – Tuchel paralajmëron: Pa kartonë të kuq në Botëror

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, u ka kërkuar lojtarëve të tij të shmangin çdo karton të kuq të panevojshëm që mund t’u kushtojë me mungesë në Kupën e Botës, sipas BBC.

Karton i kuq i Cristiano Ronaldos në humbjen e Portugalisë ndaj Irlandës së Veriut do të thotë se ai do të mungojë në nisjen e fushatës së tyre nëse kualifikohen automatikisht.

Anglia e mbyll fushatën kualifikuese sot kundër Shqipërisë.

“Pa kartonë të kuq, ju lutem”, tha Tuchel. “Është e rëndësishme. Jam i vetëdijshëm dhe do të flasim për këtë”.

Anglia e ka siguruar kualifikimin për turneun e vitit të ardhshëm dy ndeshje para fundit dhe përballet me një Shqipëri që, pavarësisht rezultatit të së dielës, e ka të garantuar vendin në play off.

Tre Luanët kanë një bilanc perfekt me shtatë fitore nga shtatë ndeshje dhe, i pyetur nëse do të preferonte të rrezikonte humbjen për të mos marrë një karton të kuq, Tuchel tha: “Është një shembull ekstrem. Nëse është situatë e fundit dhe mund të shmanget, sigurisht që nuk dua karton të kuq.

“Nuk dua t’i jap shumë peshë kësaj teme që të mos qëndrojë si një re mbi ne. Normalisht nuk jemi në rrezik, por nëse dikush duhet të zgjedhë, le të mos e bëjë”.

Së bashku me Spanjën, Anglia është skuadra e vetme që ka fituar të gjitha ndeshjet kualifikuese pa pësuar gol. Nëse të dyja ekipet fitojnë edhe ndeshjet e fundit dhe mbajnë portën e paprekur, do të bëhen kombet e para evropiane që fitojnë të paktën gjashtë kualifikuese radhazi pa e pësuar.

Anglia ka shënuar 20 gola dhe nuk ka pësuar asnjë. Por Tuchel thotë se nuk e ka përmendur mes lojtarëve rekordin e mundshëm.

“Nuk kam folur asnjë fjalë për këtë”, tha ai. “Duhet të ndërtojmë themelin për të pasur shanse për këto rekorde. Vetëm duke menduar apo folur për to, asgjë nuk ndryshon.

“Duhet të japim maksimumin. Besimi është i pranishëm sepse e kam parë gjatë grumbullimit. I besoj lojtarëve të performojnë sërish”.

Ndeshja kundër Shqipërisë është e fundit e Anglisë për këtë vit dhe vetëm një pauzë tjetër ndërkombëtare mbetet para se Tuchel të shpallë listën për Kupën e Botës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME