Këtë fundjavë, në fshatin Spathar të bashkisë Librazhd, u nda nga jeta në moshën 103 vjeçe, gruaja më e moshuar e kësaj zone. U shua një jetë që përfaqësonte një epokë të tërë. U shua në moshë të bekuar, Hanife Vreto, një nga gratë më jetëgjata dhe më të respektuara të zonës së Librazhdit.
Me mbi njëqind vite jetë, ajo u largua nga kjo botë ashtu siç jetoi, në qetësi, me dinjitet dhe e rrethuar nga dashuria e pakufi e familjes së saj të madhe. Nënë e dy djemve dhe katër vajzave, gjyshe e dhjetëra nipërve e mbesave, disa herë stërgjyshe, Hanife Vreto u bë themeli i një fisi të gjerë që sot jeton e punon në të katër anët e botës, nga Amerika në Greqi, nga Italia në Gjermani ,Angli e gjetkë ,por që kurrë nuk harruan rrënjët dhe gruan që i mbajti të bashkuar me forcën e shpirtit të saj.
Jeta e saj ishte një rrugëtim i gjatë i mbushur me sakrifica, punë të palodhur dhe përkushtim ndaj familjes. Në një kohë kur gratë shqiptare mbanin mbi supe barrën e madhe të jetës, Hanifja diti jo vetëm të rrisë fëmijët në kushte të vështira, por edhe t’u japë atyre edukatën më të mirë ,me ndershmëri, me respekt për punën, me dashuri për njerëzit dhe me krenari për prejardhjen.
Të gjithë ata që sot mbajnë mbi supe emrin e saj, mbajnë edhe trashëgiminë e vlerave që ajo mbolli me përkushtim. Respekti që gëzonte në komunitet ishte i jashtëzakonshëm. Hanife Vreto nuk ishte thjesht një nënë apo një gjyshe e stërgjyshe ,ajo ishte një grua e urtë, një këshilltare për të rinjtë, një figurë morale që fliste pak, por kuptonte shumë.
Të gjithë e njihnin për zemrën e madhe, mendjen e kthjellët dhe fjalën e drejtë. Ishte nder të ndaje një çast me të, të dëgjoje një rrëfim, një këshillë apo thjesht të ndjeje praninë e saj të qetë e fisnike.Ajo u largua nga kjo botë në mënyrën më të bukur që mund t’i dhurohet një njeriu të madh ,ajo ndërroi jetë në në shtëpinë e saj, në prehrin e njerëzve më të dashur, pa dhimbje, pa brenga, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë. Një ikje që nuk u shënua me zhurmë, por që la një boshllëk të madh dhe një dhimbje të ndjerë në zemrat e gjithë atyre që e njohën.
Zona e Librazhdit u përkul me respekt për këtë grua të rrallë. Njerëz të afërt dhe të largët, fqinj, miq, të njohur e të panjohur, të rinj e të moshuar, u bashkuan në dhimbje për t’i dhënë lamtumirën e fundit një figure që do mbetet gjithmonë simbol i urtësisë, forcës dhe dinjitetit njerëzor.
Në kohë të trazuara, ku vlerat shpesh zbehen, jeta e Hanife Vretos është një dëshmi e gjallë se fisnikëria, dashuria për familjen dhe përkushtimi ndaj tjetrit janë vlera që jetojnë gjatë.
Ajo nuk mori me vete asnjë brengë, por la pas një trashëgimi shpirtërore të pasur, që do ndriçojë udhën e brezave që do vijnë.U prehsh në paqe, nënë Hanife. Emri yt do të kujtohet me nderim, përjetësisht.
albaniaexpress.al