Sot në 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena”! Pogradeci dhe Besa luajnë sezonin në 90 minuta, vetëm njëra ka shansin të sigurojë biletën drejt finales për në Abissnet Superiore

ELBASAN,11 maj 2026/Albania Express News/Në “Elbasan Arena” sot nuk luhet thjesht një ndeshje futbolli. Luhet një sezon i tërë, një ëndërr e madhe dhe një biletë për sfidën finale drejt elitës së futbollit shqiptar. Në orën 17:00, Pogradeci dhe Besa Kavajë do të përplasen në finalen e “play off”-it të Kategorisë së Parë, në një duel ku gabimet nuk falen dhe ku vetëm njëra skuadër do të vazhdojë rrugëtimin drejt Superiores, përballë Teuta.

Përballja premton tension, emocione dhe dramë sportive, pasi të dy ekipet mbërrijnë në këtë sfidë me histori dhe objektiva krejt të ndryshme, por me të njëjtin synim: rikthimin ose ngjitjen në elitë. Në kampin liqenor, atmosfera është e ngarkuar. Pogradeci e nisi sezonin me pretendime të mëdha dhe me investime të konsiderueshme nga presidenca, duke ndërtuar një skuadër që synonte ngjitjen direkte në Superiore. Por humbja ndaj Laçit i preu rrugën objektivit të menjëhershëm dhe tani gjithçka duhet të kalojë nga rruga e vështirë e “play off”-it.

Skuadra e drejtuar nga Emiljano Çela vjen pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Kastriotit, por prapa rezultatit pozitiv fshihen tensione dhe presion i madh psikologjik. Në javët e fundit janë raportuar debate dhe nervozizëm në seancat stërvitore, shenjë e qartë se pesha e pritshmërive po ndihet fort në dhomat e zhveshjes. Te Pogradeci nuk mjafton vetëm pjesëmarrja në finale; çdo gjë është ndërtuar për ngjitjen në Superiore dhe çdo rezultat tjetër do të konsiderohej dështim.

Presioni shtohet edhe më shumë nga shpërblimi i majmë i vendosur nga presidenca: 100 milionë lekë në rast ngjitjeje në elitë. Një stimul i madh financiar që mund të shërbejë si motivim ekstra, por edhe si barrë psikologjike për futbollistët në një sfidë ku emocionet pritet të luajnë rol vendimtar.

Në anën tjetër qëndron Besa Kavajë, skuadra që duket se ka ardhur në këtë finale më e qetë dhe më e çliruar. Kavajasit kanë kaluar një sezon me ulje-ngritje, por pikërisht kur shumëkush nuk besonte më, ata treguan karakter dhe forcë duke siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë. Tashmë ekipi i drejtuar nga veterani Gugash Magani kërkon të shfrytëzojë eksperiencën dhe qetësinë psikologjike për të goditur favoritët.

Në futboll, shpeshherë skuadra që ka më pak presion është edhe më e rrezikshmja. Dhe kjo është arma më e fortë e Besës në prag të kësaj finaleje. Kavajasit pritet të luajnë me kujdes, të presin momentin e duhur dhe të godasin aty ku kundërshtari ndihet më i brishtë.

“Elbasan Arena” pritet të ndizet nga atmosfera e tifozëve të dy skuadrave, ndërsa 90 minutat e sotme mund të përcaktojnë fatin e një sezoni të tërë. Njëra skuadër do të vazhdojë ëndrrën drejt Superiores përmes duelit me Teutën në “Niko Dovana”, ndërsa tjetra do të mbetet me zhgënjimin e madh të një sezoni të humbur në prag të finishit.

Sot nuk ka vend për kalkulime. Ka vetëm një objektiv: fitorja.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...