Sopoti i Librazhdti nis përgatitjet për sezonin e ri, Hallaci drejton stërvitjen e parë! Ruhet bërthama e ekipit, priten afrime cilësore

LIBRAZHD ,15 korrik 2036/Albania Express News/-Ka nisur zyrtarisht aventura e re e ekipit të Sopotit të Librazhdit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Ashtu siç ishte parashikuar, skuadra është grumbulluar këtë të fillimjavë, duke zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Rrahman Hallaci.

Në ditën e parë të përgatitjeve, pjesëmarrja e futbollistëve ka qenë mjaft pozitive. Rreth 70% e grupit që mbrojti ngjyrat e Librazhdit sezonin e kaluar ishte i pranishëm në stërvitje, një tregues se bërthama e ekipit do të ruhet edhe për edicionin e ri.

Seanca e parë u zhvillua në qytetin e Librazhdit, ku stafi teknik u fokusua në vlerësimin e gjendjes fizike të lojtarëve dhe në rikthimin gradual në ritmin stërvitor pas pushimeve verore. Atmosfera në ekip është optimiste, ndërsa lojtarët shfaqën përkushtim dhe motivim për objektivat e sezonit të ri.

Sipas programit të përgatitur nga stafi teknik, skuadra do të zhvendoset që nga dita e nesërme në qytetin e Elbasanit, ku do të vijojë fazën intensive të përgatitjeve. Kushtet stërvitore në Elbasan pritet t’i krijojnë ekipit mundësi më të mira për të rritur intensitetin e punës dhe për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet zyrtare.

Paralelisht me përgatitjet në fushë, drejtuesit e klubit po punojnë edhe në merkato. Burime pranë klubit bëjnë me dije se janë në negociata me disa futbollistë cilësorë, me synimin për të përforcuar repartet që kanë nevojë dhe për të rritur konkurrencën brenda skuadrës.

Objektivi i Sopotit të Librazhdit është ndërtimi i një ekipi sa më konkurrues, që të zhvillojë një sezon dinjitoz dhe të synojë rezultate pozitive. Në ditët në vijim pritet të zyrtarizohen edhe afrimet e para, ndërsa stafi teknik do të vijojë punën për të konsoliduar grupin dhe për të krijuar një skuadër sa më të fortë për sezonin e ri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME