Sopoti “godet” sërish në merkato, talenti nigerian i Vllaznisë zbarkon në Librazhd!

LIBRAZHD ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Sopoti nuk ndalet në merkato! Klubi librazhdas ka zyrtarizuar një tjetër afrim të rëndësishëm për sezonin e ri, duke i besuar sulmin një futbollisti të ri me eksperiencë në futbollin shqiptar.

Bëhet fjalë për Alexis Izuna, sulmuesin 21-vjeçar nga Nigeria, i cili ka qenë pjesë e Vllaznisë gjatë sezonit të kaluar. Izuna është një lojtar krahu dhe pritet t’i japë më shumë shpejtësi, alternativë dhe forcë repartit ofensiv të skuadrës librazhdase.

Afrimi i tij është zyrtarizuar nga drejtori teknik i Sopotit, Fatjon Xhafa, i cili vijon të jetë aktiv në merkato me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese për sezonin e ri.

Izuna është bashkuar me ekipin në këtë periudhë përgatitore dhe tashmë do të ketë mundësinë të përshtatet me skemat e trajnerit dhe me pjesën tjetër të grupit. Mosha e re dhe eksperienca e fituar në futbollin shqiptar e bëjnë atë një investim interesant për Sopotin.

Por duket se merkatoja e klubit librazhdas nuk ka përfunduar. Stafi drejtues po punon intensivisht për të siguruar edhe disa përforcime të tjera cilësore, me synimin për të kompletuar grupin para startit të kampionatit.

Me afrimin e Izunës, Sopoti jep një tjetër sinjal se këtë sezon kërkon të jetë protagonist dhe të ndërtojë një skuadër të denjë për objektivat e vendosura.

Tashmë sytë janë te afrimet e radhës. Fatjon Xhafa dhe drejtuesit e Sopotit pritet të sjellin të tjera surpriza në ditët në vijim.

Sopoti po lëviz, dhe merkatoja librazhdase duket se ka ende shumë për të thënë! 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME