“Situata në shëndetësi është tejet e rënduar”/ Spahia kërkon llogari, ministrja Spahiu: Do të jem çdo javë në Kuvend

TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/ – Situata në sistemin shëndetësor u bë pjesë e debatit në seancën plenare të kësaj të enjteje, gjatë një interpelance urgjente me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Deputeti demokrat Bardh Spahia, i cili mori fjalën në emër të kërkuesve të interpelancës, deklaroi se sistemi shëndetësor po përballet me probleme serioze, duke përmendur mungesën e barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve për qytetarët.

Sipas Spahias, ndryshimet e shpeshta në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë sjellë, sipas tij, zgjidhje për problematikat e sistemit. Ai ngriti gjithashtu pyetje lidhur me prokurimet në sektorin e shëndetësisë dhe dorëheqjen e ish-ministres Albana Koçiu/Sala, duke iu referuar edhe deklaratave të bëra publikisht nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

“E kemi kërkuar këtë interpelancë për situatën tejet të rënduar në sistemin shëndetësor, që është përfshirë në skandale të njëpasnjëshme”, deklaroi Spahia.

Deputeti demokrat pretendoi gjithashtu se qytetarët përballen me vështirësi në aksesin ndaj barnave, aparaturave dhe analizave, ndërsa ngriti shqetësimin për nivelin e shpenzimeve që përballohen drejtpërdrejt nga qytetarët për shërbimet shëndetësore.

Nga ana e saj, ministrja Klodiana Spahiu e orientoi përgjigjen te nevoja për transparencë dhe krahasimin e gjendjes së sistemit shëndetësor ndër vite.

“Është e rëndësishme të vendosim një standard për mënyrën se si do të flasim për shëndetësinë. Me transparencë dhe fakte”, u shpreh Spahiu.

Ministrja tha se situata aktuale nuk mund të krahasohet me atë të vitit 2012, duke argumentuar se ndër vite ka pasur përmirësime në infrastrukturë, pajisje dhe burime njerëzore.

“Duhet të kujtojmë ku ishim dje. Mungonin pajisje, infrastrukturë, burime njerëzore. Nuk mund të bëjmë sikur situata e sistemit shëndetësor e vitit 2012 është njësojë me atë të 2026”, deklaroi ajo.

Debati në sallën e Kuvendit u shoqërua edhe me ndërhyrje dhe replika mes ministres dhe deputetëve demokratë.

Në përfundim të qëndrimit të saj, Spahiu deklaroi se do të jetë e pranishme rregullisht në Kuvend për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

“Ju do të më keni këtu çdo javë në interpelancë. Do të kemi transparencë maksimale”, tha ministrja.

Spahiu theksoi gjithashtu se gjatë ditëve të para në detyrë ka punuar për problematikat e sistemit dhe se synimi i saj është që shëndetësia të trajtohet si një “aset kombëtar”.

“Do të jem javë për javë në interpelancë. Për të treguar që sistemi shëndetësor është një aset kombëtar”, deklaroi ajo.

Interpelanca u zhvillua në një moment kur shëndetësia vijon të jetë një nga çështjet e debatit politik dhe publik, me opozitën që kërkon llogaridhënie për problematikat e sistemit dhe mazhorancën që thekson investimet dhe ndryshimet e bëra ndër vite.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Nga kriza ekonomike te emigracioni, pse AfD po fiton terren në Gjermani dhe çfarë roli ka Elon Musk

GJERMANI ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Peizazhi politik në...

“The Sun” sjell eksperiencën shqiptare: Butrinti, Saranda dhe natyra e jugut

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e...