TIRANË , 24 nëntor 2026 / Albania Express News /-Zgjerimi i kategorive që përfitojnë dëmshpërblim nga sigurimi i detyrueshëm TPL mund të sjellë një tjetër efekt për drejtuesit e automjeteve, rritjen e primit të sigurimit. Projektligji i ri parashikon që në rast aksidenti të dëmshpërblehen edhe pasagjerët që ndodhen në automjetin që shkakton aksidentin. Deri më tani kjo kategori nuk përfshihej në të njëjtën mënyrë në skemën e mbulimit.
“Të gjithë pasagjerët apo shoferë apo makina që ndodhen në makinën e dëmtuar, ata dëmshpërblehen deri më sot. Me projektligjin e ri bëhet fjalë që të dëmshpërblehen edhe pasagjerët që janë në makinën që shkakton dëmin. Pra, bëhet shumë më e përfshirë baza e atyre që dëmshpërblehen, duke vendosur në marrjen e kompensimit edhe pasagjerët e makinës, pavarësisht se çfarë shkaktore e dëmit, pasi ata nuk janë fajtorë. Gjithashtu, janë shtuar edhe palë të tjera të përfshira, që gjatë një aksidenti nuk dëmtohet vetëm një makinë, por mund të dëmtohet dhe një dyqan, mund të dëmtohet edhe një pasagjer, sado qoftë ai”, tha eksperti për Tregjet Financiare, Artur Ribaj.
Një mbulim më i gjerë i dëmeve mund të ndikojë edhe në çmimin e sigurimi duke iu afruar gradualisht niveleve evropiane. Megjithatë çmimi nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjithë por të marrë në konsideratë sjelljen e drejtuesit dhe karakteristikat e automjetit.
“Në qoftë se sot, mesatarisht, një makinë në Shqipëri është e siguruar në kufirin e 220 eurove në vit, atëherë patjetër do të kemi tendencën që të shkojmë drejt një mesatareje të Bashkimit Europian që do të shkojë rreth 400-ës. Por kur kjo? Kjo do të ngelet për t’u parë vit pas viti, pastaj nuk është e menjëhershme. Gjithashtu, një element tjetër është sepse me përfshirjen dhe qenien pjesë e këtij ligji, atëherë ne do të kemi dhe mbulime të tjera të cilat nuk është më nevoja të kemi një karton jeshil për të udhëtuar në Bashkimin Europian, por kjo do të shërbejë si një e vetme, pra duke bërë të mundur që të mbulohen kudo ku shkojnë shqiptarët pjesë e Bashkimit Europian. Por të gjitha këto elemente do të vijnë pas anëtarësimit”, tha Ribaj.
Ndryshime parashikohen edhe në mënyrën e trajtimit të dëmeve. Pragu për procedurën e përshpejtuar të dëmshpërblimit rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, Edhe kufiri i dëmeve që mund të trajtohen përmes Raportit Evropian të Aksidentit rritet nga 30 mijë në 50 mijë lekë.
Një tjetër ndryshim lidhet me Byroja Shqiptare e Sigurimit e cila parashikohet të ketë një rol të qartë në administrimin e Fondit të Kompensimit dhe mbrojtjen e qytetarëve.
“Do të jetë një entitet juridik i pavarur, i cili do të raportojë tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, do të ketë strukturat e veta të qeverisjes dhe si i tillë do të ketë mundësinë për të monitoruar dhe për të siguruar pagesën e dëmeve të shkaktuara nga makinat e pasiguruara, nga ata që braktisin në vendin e aksidentit, por edhe në rast se kemi falimentim të kompanive të sigurimit”, tha eksperti për Tregjet Financiare.
Me këto ndryshime projektligji synon të zgjerojë mbrojtjen e të dëmtuarve dhe të përshpejtojë dëmshpërblimin. Por për drejtuesit e automjeteve mbetet për tu parë se si zgjerimi i mbulimit do të reflektohet në çmimin e sigurimit TPL./Tch

