Shqipëria “skuqet” në Helsinki, Berisha lë kuqezinjtë me 10 lojtarë dhe Finlanda përmbys ndeshjen

Walta vendos fatin e sfidës me dy goditje dënimi, Manaj shënon që në minutën e 4-t – kuqezinjtë zbresin në vendin e dytë të grupit

HELSINKI, 3 tetor 2026 /Albania Express News/- Shqipëria pësoi një humbje 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki, në një sfidë që nisi në mënyrën më të mirë për kuqezinjtë, por u përmbys pas daljes me karton të kuq të portierit Etrit Berisha.

Kuqezinjtë e nisën takimin me ritëm të lartë dhe kaluan në avantazh që në minutën e 4-t. Pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Kristjan Asllani, Rey Manaj u tregua i saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë Shqipërisë avantazhin 1-0.

Por avantazhi shqiptar zgjati vetëm deri në minutën e 22-të, kur Etrit Berisha kreu një ndërhyrje jashtë zone dhe u ndëshkua direkt me karton të kuq. Shqipëria mbeti me 10 lojtarë dhe trajneri u detyrua të ndërhynte menjëherë në formacion.

Vetëm tre minuta më vonë, Hoxha u largua nga fusha dhe në portë u fut Sherri. Finlanda shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 26-të barazoi rezultatin.

Walta ekzekutoi një goditje dënimi rrafsh me tokën, duke mposhtur Sherrin dhe duke vendosur shifrat në 1-1.

Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërsa pas pushimit Shqipëria tentoi të ruante ekuilibrat dhe të kërkonte mundësinë për të goditur në kundërsulm.

Në minutën e 60-të, Pilo pati një mundësi të mirë për të rikthyer kuqezinjtë në avantazh. Mesfushori hyri në zonë dhe goditi, por Hradecky e ndali tentativën. Topi iu rikthye sërish Pilos, por goditja e dytë përfundoi jashtë.

Finlanda vijoi të ushtronte presion dhe në minutën e 71-të erdhi përmbysja. Përsëri ishte Walta protagonisti, i cili ekzekutoi një tjetër goditje dënimi me të djathtën dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Në minutat e fundit Shqipëria kërkoi të reagonte. Në minutën e 80-të, Uzuni u pengua në zonë dhe kërkoi 11-metërsh. Arbitri fillimisht vijoi lojën, ndërsa pas ndërhyrjes së VAR-it u konfirmua se nuk kishte penallti.

Kuqezinjtë provuan deri në fund për të gjetur golin e barazimit, por Finlanda arriti të ruajë avantazhin dhe të marrë tri pikët.

Me këtë rezultat, Finlanda ngjitet për momentin në krye të grupit C1 me 7 pikë, ndërsa Shqipëria zbret në vendin e dytë me 6 pikë.

Rezultati

Finlandë 2-1 Shqipëri

Shënues: Walta 26’, 71’ / Manaj 4’

Kronika e ndeshjes

4’ – GOOOOL SHQIPËRIA! 0-1. Asllani ekzekuton këndoren dhe Rey Manaj godet saktë me kokë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.

22’ – KARTON I KUQ. Etrit Berisha ndëshkohet direkt me të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zone. Shqipëria mbetet me 10 lojtarë.

25’ – Zëvendësim i detyruar. Hoxha largohet dhe Sherri futet në portë.

26’ – GOL FINLANDA! 1-1. Walta ekzekuton një goditje dënimi rrafsh me tokën dhe barazon rezultatin.

31’ – Sherri ndëshkohet me karton të verdhë.

45+3’ – Mbyllet pjesa e parë në barazim 1-1.

46’ – Manaj zëvendësohet nga Daku.

60’ – Pilo ka një mundësi të artë, por goditja e dytë e tij përfundon jashtë.

65’ – Muçi zëvendësohet nga Uzuni.

71’ – GOL FINLANDA! 2-1. Walta ekzekuton sërish një goditje dënimi dhe përmbys rezultatin.

77’ – Pilo dhe Asllani largohen, ndërsa në fushë futen Mehmeti dhe Shehu.

80’ – Uzuni pengohet në zonë dhe kërkon penallti.

81’ – VAR konfirmon vendimin: nuk ka 11-metërsh për Shqipërinë.

90+6’ – Mbyllet sfida. Finlanda fiton 2-1 ndaj Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME