GJERMANI,26 maj 2026/Albania Express News/Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë.
“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin „Fundamentals“ përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.
Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e „Fundamentals“ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.
Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.
Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”, thuhet në reagimin e tij.

