GJIROKASTËR ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Qyteti i Gjirokastrës vijon të ofrojë një atmosferë unike për banorët dhe turistët gjatë sezonit veror, ku muzika tradicionale shqiptare bëhet pjesë e përditshmërisë. Edicioni i pestë i aktivitetit “Iso mbi Kalldrëm” është rikthyer edhe këtë verë në Pazarin Karakteristik, duke sjellë mbrëmje të mbushura me tingujt autentikë të isopolifonisë shqiptare, një pasuri e trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga UNESCO.
Aktiviteti, i cili tashmë është kthyer në një traditë të konsoliduar të mbrëmjeve verore në qytetin e gurtë, ka mbledhur çdo natë dhjetëra banorë dhe vizitorë vendas e të huaj, të cilët ndalen për të shijuar nga afër interpretimet e grupeve polifonike në një nga hapësirat më simbolike të Gjirokastrës.
Një nga interpretuesit, Mihal Kaçi, e cilësoi isopolifoninë si një nga vlerat më të mëdha të identitetit kombëtar shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
“Është kënaqësi që polifonia, si një aset i madh i çmuar, të vlerësohet edhe nga turistët. Ajo është një nga kryevlerat e kombit tonë dhe mbrohet nga UNESCO. Ne, si djem të rinj, kemi vendosur ta ruajmë këtë thesar shpirtëror të trashëguar nga brezat dhe ta përcjellim edhe te të rinjtë, duke qenë burim frymëzimi si për ata që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe për shqiptarët jashtë vendit”, u shpreh ai.
Atmosfera e krijuar në Pazarin Karakteristik ka tërhequr edhe vëmendjen e turistëve të shumtë, të cilët kanë shprehur entuziazmin për mikpritjen, kulturën dhe muzikën tradicionale shqiptare.
Një turist nga Kurdistani u shpreh se ndjeu ngjashmëri mes traditave të vendit të tij dhe atyre shqiptare.
“Mendoj që qyteti është shumë tërheqës. Njerëzit këtu janë shumë të këndshëm. Traditat janë të ngjashme me ato të vendit tim. Edhe mënyra si vishemi, si këndojmë. Këngët janë shumë të bukura. Gjithçka është e mrekullueshme”, tha ai.
Ndërsa një turiste tjetër vlerësoi bukurinë e qytetit dhe mikpritjen që ka gjetur gjatë qëndrimit në Gjirokastër.
“Është absolutisht çdo gjë e bukur dhe mahnitëse. Një qytet shumë i bukur. Kemi dy ditë këtu. Ushqimi është i mrekullueshëm, njerëzit janë të dashur dhe muzika është fantastike”, tha ajo.
“Iso mbi Kalldrëm” është kthyer tashmë në një nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të sezonit turistik në Gjirokastër, duke promovuar jo vetëm isopolifoninë shqiptare, por edhe vlerat historike e kulturore të qytetit të mbrojtur nga UNESCO.
Organizatorët bëjnë të ditur se koncertet do të vijojnë përgjatë gjithë muajit gusht, duke e shndërruar çdo mbrëmje Pazarin Karakteristik në një skenë të hapur ku tradita, muzika dhe kultura shqiptare bashkohen me interesin në rritje të turistëve nga e gjithë bota. Kështu, Gjirokastra vazhdon të forcojë pozitat e saj si një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri.

