Renato Haxhiaj emërohet nënkryetar i Bashkisë Elbasan, një profesionist me përvojë në gazetari, komunikim dhe zhvillim institucional

ELBASAN ,1 korrik 2026/Albania Express News/- Kryetari i Bashkisë së  Elbasanit z.Gledian Llatja ka firmosur emërimin e  z.Renato Haxhiaj këtë  fillim korriku në detyrën e nënkryetarit  , duke i besuar një prej posteve më të rëndësishme të administratës vendore një profesionisti me një eksperiencë të gjatë në fushën e gazetarisë, komunikimit publik, marrëdhënieve me publikun, marketingut digjital dhe zhvillimit institucional. Me një karrierë të ndërtuar ndër vite në media, institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, Haxhiaj sjell në këtë detyrë një profil të konsoliduar profesional, të mbështetur në eksperiencën në drejtim, koordinim projektesh dhe komunikim strategjik. Në vitet e fundit ai ka ushtruar detyrën e Specialistit të Njësisë së Zhvillimit dhe Instruktorit të Marketingut Digjital pranë Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan, ku ka qenë i angazhuar në koordinimin e zhvillimit institucional, komunikimin publik, aktivitetet promovuese, pjesëmarrjen në projekte të Bashkimit Evropian, si dhe në mësimdhënien e marketingut digjital.

Më parë, gjatë viteve 2019–2021, Renato Haxhiaj ka shërbyer si Koordinator i Mediave Sociale pranë International Co-operative Center, ku është marrë me administrimin e portalit institucional, komunikimin publik dhe menaxhimin e rrjeteve sociale. Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me median. Nga viti 2015 deri në vitin 2018 ai drejtoi Albania Studio në cilësinë e drejtorit, duke koordinuar stafin, platformat mediatike dhe strategjitë e komunikimit. Paralelisht, gjatë viteve 2012–2018, ai ishte koordinator i mediave web dhe sociale, duke administruar portalin Elbasani Plus, Radio Albania FM dhe platformat sociale të këtij grupi mediatik. Po në këtë periudhë, nga viti 2012 deri në vitin 2015, Haxhiaj mbajti postin e kryeredaktorit të Gazetës “Mendimi” dhe Radio Albania FM, ku u angazhua në drejtimin editorial, përzgjedhjen dhe redaktimin e materialeve informative, si dhe koordinimin e stafit gazetaresk. Karriera e tij në gazetari nisi me praktikën profesionale në News24 gjatë vitit 2009, ku raportoi kryesisht për çështje të ekonomisë, duke hedhur themelet e një rruge profesionale që më pas u zgjerua në fushën e komunikimit institucional dhe menaxhimit.

Përveç eksperiencës në media dhe administratë, Renato Haxhiaj ka kontribuar edhe si trajner dhe ekspert i mediave sociale në projekte të fokusuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm (CVE), duke zhvilluar trajnime mbi komunikimin publik dhe përdorimin profesional të platformave sociale. Në aspektin akademik, ai është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ku ka përfunduar studimet Bachelor në Gazetari, Master Profesional në Redaktori dhe më pas Master Shkencor në Marketing, duke kombinuar formimin në media me njohuritë në komunikimin strategjik, menaxhimin dhe marketingun. Gjatë karrierës së tij ka ndjekur një sërë trajnimesh profesionale në fushën e marrëdhënieve me publikun, menaxhimit të mediave, komunikimit digjital dhe rolit të medias në luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Ai zotëron njohuri të avancuara në përdorimin e teknologjive dhe platformave digjitale, përfshirë Microsoft Office, WordPress, Adobe Photoshop, Adobe Audition dhe administrimin profesional të rrjeteve sociale. Gjithashtu flet gjuhën angleze dhe italiane në nivel B2. Emërimi i Renato Haxhiaj si nënkryetar i Bashkisë Elbasan vlerësohet si një zgjedhje që sjell në administratën vendore një profesionist me përvojë të gjerë në komunikim, zhvillim institucional dhe menaxhim, elementë që pritet të kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve me qytetarët, promovimin e projekteve zhvillimore dhe rritjen e eficiencës së administratës lokale

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME