Luciano Boçi, Deputet i PD, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale
TIRANË, 04 gusht 2026 /Albania Express News/ –Partia Demokratike ka deklaruar se pret një qëndrim nga partnerët ndërkombëtarë për projektin e propozuar nga mazhoranca socialiste për reformën administrativo-territoriale.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi, në një intervistë televizive sot u shpreh se drafti i paraqitur nga socialistët nuk përputhet, sipas tij, me standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“SHBA dhe BE janë ata që e kanë monitoruar, e kanë mbështetur, por që edhe do mbajnë qëndrimet e tyre dhe unë gjykoj, parashikoj që ky draft, ky projektligj, të jetë i papranueshëm për ta nga mënyra se si është servirur, nga mënyra si ka ardhur në parlament, nga mënyra si shkelmoi komisionin të insistuar nga ata dhe nga mënyra se si kërkon ta bëjë ndarjen e re territoriale në Shqipëri pa respektuar asnjë standard europian”, tha ai.
Boçi tha se një reagim nga faktori ndërkombëtar pritet pas rikthimit të veprimtarisë politike në shtator, duke theksuar se reforma territoriale duhet të bazohet në parime si autonomia vendore, kapacitetet administrative dhe qëndrueshmëria financiare e bashkive.
Sipas tij, diskutimi për ndarjen territoriale nuk duhet të kufizohet vetëm te numri i njësive vendore, por duhet të marrë në konsideratë mundësinë e ofrimit më të mirë të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave të ndryshme.
Deputeti demokrat kritikoi draftin e mazhorancës, duke pretenduar se ai nuk adreson pabarazitë mes bashkive dhe se mund të ketë ndikim elektoral.
“Duhet të respektohen standardet evropiane për organizimin territorial dhe jo të trajtohet çështja vetëm përmes ndarjeve numerike”, u shpreh Boçi.

