Rama thirrje supermarketeve: “Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë” – transparencë për çmimet dhe kontroll më i madh për shportën

TIRANË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar përfaqësuesve të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend më shumë transparencë për çmimet dhe ka paralajmëruar një qasje më të fortë ndaj praktikave që, sipas tij, rëndojnë konsumatorin.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi në kuadër të platformës së re digjitale “Pasqyra e çmimeve”, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në pika të ndryshme shitjeje.

Rama u shpreh se sipërmarrësit kanë të drejtë të realizojnë fitime, por theksoi se kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të konsumatorëve.

“Askush nuk ju kërkon që ju të ndaloni së fituari, se për këtë punë keni dalë në treg që të punoni dhe të fitoni, por që të ngarkoni njerëzit këtë ne nuk do ta lejojmë”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se qeveria nuk synon të përcaktojë çmimet në mënyrë administrative dhe as t’u kërkojë bizneseve të heqin dorë nga fitimet.

“Nuk po ju kërkojmë të ktheheni në organizata bamirësie. Po ju themi: fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”, u shpreh ai.

“Pasqyra e çmimeve”, Rama kërkon të dhëna të plota

Në fokus të takimit ishte funksionimi i platformës së re për transparencën e çmimeve. Rama kërkoi që supermarketet pjesëmarrëse në fazën pilot të dorëzojnë të dhëna të plota për rrjetin e pikave të shitjes.

Sipas tij, duhet të publikohet lista e dyqaneve dhe adresave, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shohin dhe krahasojnë çmimet sipas pikave të ndryshme të shitjes.

Po ashtu, Rama kërkoi që produktet të identifikohen me barkod, markë, gramaturë, njësi matëse dhe përshkrim, në mënyrë që krahasimi të jetë sa më i saktë.

“Platforma merr çmimin real final për konsumatorin dhe dallon qartë çmimin normal nga promocioni”, tha kryeministri.

Një tjetër kërkesë lidhet me përditësimin e të dhënave. Rama kërkoi përcaktimin e një standardi të përbashkët për shpeshtësinë e ndryshimit të çmimeve dhe kohën brenda së cilës këto ndryshime duhet të pasqyrohen në platformë.

Gjithashtu, platforma pritet të informojë konsumatorin edhe kur një produkt nuk është në stok.

Rama: “Po flasim për produkte jetike”

Kryeministri e lidhi nismën me çmimet e produkteve bazë të shportës, duke argumentuar se konsumatorët duhet të kenë mundësi të krahasojnë çmimet dhe të zgjedhin se ku do të blejnë.

Ai iu referua edhe të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke thënë se zhvlerësimi i euros, rënia e inflacionit të importuar dhe çmimet e produkteve vendase janë elemente që, sipas tij, duhen parë në raport me nivelin e çmimeve në treg.

“Po flasim për disa produkte jetike të shportës për njerëzit që maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë më shumë”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se nuk ka asgjë personale me përfaqësuesit e biznesit dhe se qeveria nuk po kërkon që sipërmarrjet të heqin dorë nga fitimi.

“Çdo gjë ka një kufi dhe po flasim për disa produkte jetike”, tha ai.

Në përfundim, Rama kërkoi angazhim të përbashkët të rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve për zbatimin e fazës së parë pilot të platformës, me synimin që qytetarët të kenë më shumë informacion dhe mundësi reale për të krahasuar çmimet përpara se të kryejnë blerjet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama nga Miçigani për vendimin e Hagës: “Varrosje për së gjalli, populli i Kosovës nuk e gjen veten në atë vendim”

SHBA/TIRANË, 21 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi...

Vijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Qytetarët u mblodhën...